Departamentet

Projekte DBRPDNJ

Projekti “OmbudsWatch – Promovimi i Rolit të Avokatit të Popullit në Kosovë”, i mbështetur nga Ambasada e Holandës në Kosovë është implementuar në periudhën kohore korrik 2017 – tetor 2018, nga BIRN Kosova dhe ACDC (Qendra e Avokimit për Kulturë Demokratike) në partneritet me Institucionin e Avokatit të Popullit.

Ky projekt ka patur për qëllim ngritjen e kapaciteteve të stafit të IAP-së, përmes organizimit të trajnimeve për informim për përdorim të mediave sociale me qëllim të promovimit të punës së institucionit përmes mediave sociale; promovimin e lirive dhe të drejtave të njeriut përmes realizimit të kampanjave vetëdijesuese televizive dhe mediave sociale; përmes organizimit të debateve televizive dhe tryezave të diskutimit me media dhe organizata të ndryshme joqeveritare që merren me çështjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Poashtu në kuadër të këtij projekti është organizuar edhe ndarja e çmimeve për storiet më të mira gazetareske nga fusha e të drejtave të njeriut, e cila ka pasur për qëllim inkurajimin e komunitetit të gazetarëve që përmes storieve të tyre, të formave të ndryshme, të informojnë dhe të vetëdijesojnë publikun për gjendjen e të drejtave të njeriut në vend, si dhe respektimin dhe raportimin për të drejtat e njeriut.

 

Projekti “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut në Kosovë përmes shoqërisë civile aktive”

Projekt i financuar nga BE-ja dhe i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, nën Instrumentin Evropian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, zbatuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Artpolis, në partneritet me Institucionin e Avokatit të Popullit. Projekti synon realizimin e aktiviteteve me qëllim të mbështetjes së punës së Institucionit të Avokatit të Popullit dhe përkrahjen në zbatimin e legjislacionit për të drejtat e njeriut; aktivitete për informimin e qytetarëve mbi aspektet e mosdiskriminimit dhe mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

 

Projekti i bashkëpunimit me OSBE “Promovimi i sektorëve ligjor dhe juridik duke respektuar të drejtën e barazisë para ligjit, pavarësisht nga gjinia, përkatësia etnike, feja apo karakteristikat e tjera personale”

Në kuadër të aktiviteteve të këtij projekti gjatë vitit 2017 është mbajtur punëtoria triditore me organizatat joqeveritare të profileve të ndryshme që merren me çështje të të drejtave të njeriut, të përfaqësuara nga komunitetet joshumicë, personat me aftësi të kufizuara, forumet rinore, komuniteti i grave dhe grupet e margjinalizuara, ku përmes identifikimit të fushave më kritike të të drejtave të njeriut, problemeve më të mëdha dhe shkeljeve sistematike, në bashkëpunim është hartuar një plan i veprimit, si përgjigje e përbashkët ndaj diskriminimit dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut. Në bazë të planit të veprimit, gjatë vitit 2018 janë organizuar disa punëtori me organizata joqeveritare për çështje të ndryshme që ndërlidhen me të drejtat e njeriut.

Gjithashtu gjatë vitit 2018 janë organizuar disa punëtori në regjione të ndryshme të Kosovës, dedikuar informimit të të rinjëve për të drejtat e njeriut dhe mandatin e IAP-së në përgjithësi. OSBE në kuadër të këtij projekti ka mbështetur gjithashtu Institucionin e Avokatit të Popullit në zhvillimin e ueb-faqes së institucionit dhe platformën “online” për raportet e OJQ-ve.