- Info
- Kuadri ligjor DBRPDNJ
- Vizita DBRPDNJ
- Aktivitete DBRPDNJ
- Raporte DBRPDNJ
- Projekte DBRPDNJ
- Struktura organizative e departamentit DBRPDNJ
Kuadri ligjor DBRPDNJ
IAP është institucion i pavarur kushtetues për mbrojtjen, mbikëqyrjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, i krijuar në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit për Avokatin e Popullit.
Kompetencat, përgjegjësitë, dhe rregullat themelore normative të cilat përfshijnë funksionin e IAP-së në fushën e mbrojtjes, mbikëqyrjes dhe promovimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, janë të përcaktuara me nenet 132, 133, 134 dhe 135 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; Ligjin Nr. 05/L -019 për Avokatin e Popullit, Ligjin Nr. 05/L -021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ligjin Nr. 05/L -020 për Barazinë Gjinore, si dhe me ligjet e tjera të veçanta dhe nga kjo rregullore.
RREGULLORJA Nr. 02/2016 E PUNËS PËR INSTITUCIONIN E AVOKATIT TË POPULLIT
KAPITULLI V
BASHKËPUNIMI, RAPORTIMI DHE PROMOVIMI I TË DRETAVE TË NJERIUT
Neni 79
Promovimi i të drejtave të njeriut
- Në përputhje me nenin 18, paragrafi 1.4 dhe 1.5të Ligji për Avokatin e Popullit, Avokati i Popullit, në fushën e promovimit, avancimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut:
1.1. bën të njohura të drejtat e njeriut dhe përpjekjet për të luftuar të gjitha format e diskriminimit përmes ngritjes së vetëdijesimit, posaçërisht përmes informimit dhe edukimit edhe me anë të mediave;
1.2. rekomandon Qeverinë, Kuvendin dhe autoritetet e tjera kompetente të Republikës së Kosovës për çështjet që kanë të bëjnë me avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, barazisë dhe jo diskriminimit;
1.3. këshillon dhe rekomandon autoritetet e Republikës së Kosovës për programet dhe politikat e tyre për të siguruar mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në Republikën e Kosovës.
- Departamenti përkatës për çështje te komunikimit, raportimit dhe promovimit të të drejtave të njeriut, i përcaktuar me Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës, kryen hulumtime mbi çështjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, barazisë dhe diskriminimit, përgatitë raporte vjetore, periodike dhe të tjera, mbi bazën e së cilave propozon masat dhe veprimet përkatës edhe inicion, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, hartimin e Programit për informimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
- Departamenti përkatës përcjell dhe analizon Dokumentet Strategjike të Qeverisë dhe institucioneve tjera, të cilat janë në procedurë hartimi dhe të atyre në zbatim e sipër lidhur me mbrojtjen, mbikëqyrjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Republikën e Kosovës dhe varësisht nga gjetjet edhe bën rekomandimet përkatëse në kohë dhe afate optimale.
Neni 80
Monitorimi i gjendjes së të drejtave dhe lirive të njeriut
- IAP monitoron gjendjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, në bazë të ankesave të pranuara, analizave dhe raporteve të publikuar të organeve shtetërore dhe organizatave të shoqërisë civile; analizave dhe publikimeve të organizatave ndërkombëtare si dhe në bazë të informacioneve të publikuar në media.
- Në bazë të të dhënave të grumbulluara, IAP vë në dukje nevojën për ndërmarrjen e masave dhe kryerjen e aktiviteteve promovuese që synojnë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe luftën kundër diskriminimit, që është në përgjegjësinë e Avokatit të Popullit.
Neni 81
Hulumtime dhe analiza
- Në kuadër të përgjegjësive që ka në mbrojtjen, mbikëqyrjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, Avokati i Popullit kryen dhe publikon hulumtime dhe analiza lidhur me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.
- Kryerja e hulumtimeve dhe analizave bëhet duke përdorur metoda të ndryshme të hulumtimit, në bazë të ankesave të qytetarëve në shqyrtim e sipër, informacioneve dhe burimeve të tjera në dispozicion.
- Në bazë të të dhënave të mbledhura nga analizat dhe hulumtimet, Avokati i Popullit vendos për ndërmarrjen e masave të tjera brenda kompetencave dhe përgjegjësive të tij.
Neni 82
Bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile
- Përgjatë punës së tij, Avokati i Popullit në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, bashkëpunon me të gjitha organizatat dhe institucionet vendore dhe ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.
- Bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile bëhet përmes organizimit të përbashkët të dëgjimeve publike, organizimit të aktiviteteve të përbashkëta për ngritjen e vetëdijesimit dhe ndërgjegjësimin e opinionit publik për rëndësinë e të drejtave të njeriut, pjesëmarrjes dhe bashkëpunimit në projekte të veçanta që ndërlidhen me rastet e veçanta të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe lirisë nga fushëveprimi i IAP-së.
Neni 83
Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe i brendshëm
- IAP-i vendos dhe zhvillon bashkëpunim me institucionet vendore dhe organizatat ndërkombëtare të cilat janë aktive në lëmin e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut.
- Çfarëdo bashkëpunimi i referuar në paragrafin (1) të këtij neni duhet të zbatohet në atë mënyrë që ruan pavarësinë e IAP-së siç është përcaktuar në Kushtetutë dhe Ligjin për Avokatin e Popullit.
- Departamenti përkatës i IAP-së do të zhvilloi një bazë të dhënash të projekteve të mëparshme dhe atyre në vijim e sipër, lidhur me asistencën e ofruar teknike.
- Baza e të dhënave të projekteve duhet të përfshijë të dhëna për caqet dhe aktivitetet e zhvilluara, donatorët, njësit zbatuese dhe partnerët, ekspertët e përfshirë, buxhetet, rezultatet e arritura, periudhat e zbatimit, në bashkëpunim me të gjitha palët e interesuara dhe të shkëmbimit të përvojave me qëllime të koordinimit të projekteve të reja me aktivitetet e mëparshme, për të shmangur dyfishimin e përpjekjeve dhe për të përshtatur ato me rezultatet dhe mësimet e nxjerra nga përvojat e kaluara si dhe të krijojë një platformë bashkëpunimi në nivel lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, nëpërmes të menaxhimit dhe përditësimit të bazës së të dhënave për projekte.
Neni 84
Plani i punës
- Aktivitetet e IAP-së përcaktohen me Planin Vjetor të punës, të miratuar nga Avokati i Popullit
- Plani vjetor i punës përmban:
2.1. një pasqyrë të përgjithshme të detyrave dhe aktiviteteve;
2.2. informacion mbi objektivat të cilat planifikohen për të arritur, të cilat janë të ndërlidhura me objektivat e përgjithshme dhe specifike që dalin nga të Plani (Programi) strategjike për periudhën tre- vjeçare;
2.3. koston buxhetore te aktiviteteve të planifikuara, si dhe
2.4. të dhënat mbi rreziqet më të rëndësishme që mund të ndikojë në arritjen e qëllimeve të caktuara .
- Të gjitha departamentet, zyrat dhe njësitë e IAP-së miratojnë planet e punës, të bazuara në planin e përgjithshëm të punës së IAP-së dhe objektivat strategjike të punës, sipas Programit strategjik të zhvillimit të IAP-së.
Neni 85
Raportet vjetore të Avokatit të Popullit
- Në përputhje me obligimet që dalin nga neni 29 i Ligjit për Avokatin e Popullit dhe ligjet e veçanta, Avokati i Popullit i paraqet Kuvendit të Republikës së Kosovës. Raportin e rregullt vjetor për vitin paraprak deri më 31 mars të vitit vijues.
- Përpilimi i Raportit vjetor, bëhet mbi bazën e raporteve vjetore të punës së departamenteve dhe njësive përbërëse të IAP-së.
- Raporti vjetor i punës i përmbledhur nga Departamenti përkatës, fillimisht shqyrtohet nga Kolegjiumi i IAP-së dhe i përcillet Avokatit të Popullit për miratim jo më vonë se data 15 dhjetor për çdo vit kalendarik.
- Raporti vjetor i Avokatit të Popullit duhet të përmbaj konstatime për nivelin e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe mbrojtjen ligjore të qytetarëve të Republikës së Kosovës; informacion mbi punën e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e torturës, mbrojtjen nga diskriminimi dhe barazinë gjinore, paraqitjen statistikore të ankesave të pranuara dhe të proceduara, përshkrimin e rasteve tipike të shkeljeve apo keqadministrimit si dhe një pasqyrë të aktiviteteve të tjera me interes për mbrojtjen, mbikëqyrjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
Neni 86
Raportet e veçanta të Avokatit të Popullit
- Në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Avokatin e Popullit, Avokati i Popullit paraqet edhe raporte të veçanta për fusha të caktuara të të drejtave të njeriut.
- Raportet e veçanta Avokati i Popullit i paraqet kur konstaton se ka ndodhur diskriminimi dhe se ka ardhur deri te kërcënimi i të drejtave kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve të Kosovës për shkak të veprimeve apo mosveprimeve që paraqesin keqpërdorim të autoritetit.
- Në përgatitjet dhe hartimin e raporteve të veçanta marrin pjesë zëvendës Avokatët e Popullit dhe udhëheqësit e departamenteve përkatëse nga fusha e shërbimeve profesionale.
- Mënyra e hartimit dhe përmbajtja e çdo raporti të posaçëm propozohet nga Kolegjiumi i IAP-së, ndërsa vendoset nga Avokati i Popullit.