- Info
- Kuadri ligjor DMD
- Aktivitete DMD
- Raporte DMD
- Vizita DMD
- Projekte DMD
- Struktura organizative e departamentit DMD
Departamenti për Mbrojtje nga Diskriminimi (DMD)
Detyrat dhe përgjegjësitë e Departamentit për Mbrojtje nga Diskriminimi të përcaktuara me nenin 18 të Rregullores nr. 01/2016, për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Institucionin e Avokatit të Popullit janë si në vijim:.
1.1. Pranon dhe heton parashtresat e personave për rastet konkrete të diskriminimit bazuar në cilëndo nga bazat e përcaktuara në nenin një (1) të Ligjit Nr. 05/L -021 për Mbrojtje nga Diskriminimi, ofron asistencë viktimave të diskriminimit në bërjen e ankesave kundër diskriminimit, si dhe informatat e domosdoshme në lidhje me të drejtat e tyre, për detyrimet dhe mundësitë e gjykatës, si dhe për mjetet tjera mbrojtëse.
1.2. Heton ose vepron sipas ankesës të parashtruar ose me vetë-iniciativë (exofficio) kur ekziston dyshimi i bazuar se ka ndodhur diskriminimi nga subjektet e sektorit publik dhe privat, si dhe u drejtohet organeve të prokurorisë dhe të hetimit direkt me një kërkesë për fillimin e hetimit të kundërvajtjeve dhe veprave penale dhe kërkon fillimin e procedurës disiplinore të zbatueshme.
1.3. Ndërmerr të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme në trajtimin e ankesave të parashtruara për mbrojtje nga diskriminimi, përfshirë intervenimin e drejtpërdrejtë te autoritetet kompetente, duke kërkuar përgjigje brenda kohës së arsyeshme apo me nguti, nëse vazhdon dëmi i rëndë si pasojë e diskriminimit në vepër.
1.4. I drejtohet organeve të prokurorisë dhe të hetimit drejtpërdrejt me kërkesën për fillimin e hetimit të kundërvajtjeve dhe veprave penale dhe fillimin e procedimit disiplinor të zbatueshëm, kur konstatohet ndodhja e diskriminimit.
1.5. Trajton dhe merr në shqyrtim rastet që lidhen me diskriminimin gjinor, në përputhje me procedurat e parapara, bazuar në gjendjen e përcaktuar, standardet dhe rekomandimet e mekanizmave vendor e ndërkombëtar për barazinë gjinore.
1.6. Trajton rastet që lidhen me diskriminimin e personave me aftësi të kufizuar bazuar në standardet dhe rekomandimet e mekanizmave ndërkombëtar për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar.
1.7. Informon publikun për rastet e diskriminimit dhe ndërmerr masa për promovimin e barazisë, të drejtave të njeriut dhe mos diskriminimin.
1.8. Ndërmjetëson, jep mendime dhe propozon rekomandime për rastet konkrete të diskriminimit, si dhe ofron këshilla, udhëzime dhe mbështetje, subjekteve të sektorit publik dhe privat mbi praktikat e mira në promovimin e barazisë, në përshtatjen ndaj diversitetit dhe parandalimin e diskriminimit mbi bazat e mbuluara nga Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe Ligji për Barazi Gjinore.
1.9. Inicion hetimin e rasteve të diskriminimit të cilat prekin grupet e personave, përfshirë të drejtat e personave LGBT, nëpërmjet një veprimi grupor të ndërmarrë në emër të anëtarëve të grupit, ku nuk kërkohet pëlqimi i tyre.
1.10. Jep rekomandime për marrjen e masave për promovimin e barazisë, përshtatjen ndaj diversitetit dhe/ose luftimin e diskriminimit.
1.11. Përcjell zbatimin e Ligjit për Mbrojtja nga Diskriminimi dhe, varësisht nga hulumtimet, vlerësimet, gjetjet dhe konstatimet, inicion ndryshimin e dispozitave për zbatimin dhe avancimin e mbrojtjes nga diskriminimi.
1.12. Inicion ndërmarrjen e masave për përmirësimin e punës së institucioneve në fushën e realizimit dhe promovimit të barazisë gjinore dhe të drejtave të personave me aftësi të kufizuar si dhe propozon ligje dhe iniciativa për ndryshime në ligjet dhe rregulloret përkatëse në mënyrë që të përmirësojë mbrojtjen e barazisë gjinore dhe të personave me aftësi të kufizuar.
1.13. Promovon dhe mbron të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre përmes trajtimit të parashtresave të tyre si dhe ndërmerr iniciativa dhe propozon ligje dhe rregullore të cilat synojnë përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarët e tyre, duke marrë parasysh gjendjen e përcaktuar, dhe standardet dhe rekomandimet e mekanizmave vendor dhe ndërkombëtare për të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.
1.14. Përcjell jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, procedurat që në të ardhmen mund të çojnë në padi kundër Republikës së Kosovës para Gjykatës Evropiane për raste të diskriminimit, me qëllim përgatitjeje dhe evitimi (parandalimi) të procedurave të tilla përmes mbrojtjes në kohë të të drejtave të palëve të dëmtuara dhe dhënien e ndihmës organeve të administratës të cilat vendosin mbi të drejtat dhe liritë e qytetarëve që të veprojnë në kohën e caktuar dhe në mënyrë të ligjshme.
1.15. Përcjell veprimtarinë e institucioneve përgjegjëse në drejtim të arritjes së barazisë gjinore, të drejtave të fëmijëve, të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, të drejtat e personave LGBT dhe drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.
1.16. Mbledh dhe sistematizon të dhënat lidhur me gjendjen dhe aspektet e mbrojtjes së barazisë gjinore, të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, në bazë të të cilit përgatiten pjesë të Raportit vjetor të Avokatit të Popullit, në raport më respektimin e rregullave, standardeve dhe rekomandimet relevante të mekanizmave vendor dhe ndërkombëtar për të drejta e njeriut.
1.17. Raporton çdo vit në Kuvendin e Republikës së Kosovës për zbatimin e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi, harton dhe publikon raporte të veçanta për zbatimin e tij si dhe bën rekomandime mbi politikat dhe praktikat për të luftuar diskriminimin dhe promovuar barazinë.
1.18. Harton kode të praktikave të mira, në koordinim me Departamentin për Çështje Juridike, për luftimin e diskriminimit dhe për promovimin e barazisë, të cilat mund të përdoren si pikë referimi në rastet e diskriminimit.