Për Ne

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, përcakton në Kapitullin e XII të saj, rolin dhe kompetencat e Avokatit të Popullit në Kosovë, si dhe, më tej, Ligji Nr.05/L-019 për Avokatin e Popullit, i cili rregullon organizimin dhe funksionimin i Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP), përgjegjësitë dhe mënyrën e punës së IAP-së, si dhe rregullon procedurat për parashtrimin e ankesave dhe hetimin e tyre.

 

IAP paraqet mekanizmin ligjor për mbrojtjen, mbikëqyrjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të personave fizik dhe juridik nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme dhe të parregullta të autoriteteve publike, institucioneve dhe personave apo autoriteteve tjera, të cilët ushtrojnë autorizime publike në Republikën e Kosovës, si dhe vepron si Mekanizëm Kombëtar për parandalim të torturës dhe trajtimeve e ndëshkimeve të tjera mizore, jonjerëzore dhe poshtëruese, në të gjitha vendet ku mbahen personat e privuar nga liria, duke përfshirë ndalimin policor, paraburgimin, qëndrimin në institucionet shëndetësore, ndalimin doganor, ndalimin e emigracionit dhe çdo vend tjetër kur dyshohet se ka shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut.

 

Gjithashtu, Avokati i Popullit është mekanizëm i barazisë për promovim, monitorim dhe mbështetje të trajtimit të barabartë pa diskriminim në bazat e mbrojtura nga Ligji për barazi gjinore dhe Ligji për mbrojtje nga diskriminimi, të cilat ligje, bashkë me Ligjin për Avokatin e Popullit përbëjnë pakon ligjore të të drejtave të njeriut, e cila ka hyrë në fuqi në korrik të vitit 2015.

 

Avokati i Popullit është i pavarur në ushtrimin e detyrave dhe nuk pranon udhëzime ose ndërhyrje nga organet, institucionet ose nga autoritetet e tjera, të cilat ushtrojnë pushtet në Republikën e Kosovës. Si  institucion i pavarur, udhëhiqet nga parimet e paanësisë, pavarësisë, epërsisë së të drejtave të njeriut, konfidencialitetit dhe profesionalizmit.

 

Me qëllim të identifikimit të problemeve dhe me qëllim të sigurimit të të dhënave për shkeljet e supozuara, Kushtetuta dhe Ligji për Avokatin e Popullit detyron çdo organ, institucion ose autoritet tjetër, që ushtron pushtet legjitim në Republikën e Kosovës, t’i përgjigjet kërkesave të Avokatit të Popullit dhe t’ia paraqes atij të gjitha dokumentet dhe të dhënat e kërkuara.

 

Avokati i Popullit zhvillon hetime, jep rekomandime, publikon raporte, si dhe avokon për të drejtat dhe liritë e njeriut. Në rastet kur hetimet e këshilltarëve ligjorë të IAP-së rezultojnë me gjetje të shkeljeve të të drejtave të njeriut, institucioni mund të kërkojë njoftime plotësuese nga autoritetet publike dhe të bëjë rekomandime për autoritetet përgjegjëse përkatëse. Në rastet kur Avokati i Popullit konsideron se një praktikë ose situatë e përgjithshme nuk është në pajtim me standardet vendore a ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, ndikon te një individ apo më gjerë, bën raporte speciale, të cilat përfshijnë edhe rekomandime të drejtuara Kuvendit të Kosovës, me qëllim të përmirësimit të gjendjes së krijuar dhe të harmonizimit të saj me standardet vendore dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

 

Avokimin dhe ndikimin për avancimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, Avokati i Popullit mund ta bëjë edhe nëpërmjet mediave.

 

IAP ka mundësi të hapë hetime Ex Officio ( pa ankesë individuale) për dyshimet e shkeljeve të të drejtave të njeriut. Po ashtu, ka për mision t’i vëzhgojë politikat dhe ligjet e miratuara nga autoritetet vendore, për të siguruar që ato të jenë në pajtim me standardet e të drejtave të njeriut dhe me kërkesat e qeverisjes së mirë.

 

Edhe pse IAP merret me hetime lidhur me zvarritjet e procedurave gjyqësore në vendosjen e lëndëve, por nuk e zëvendëson gjykatën dhe nuk mund t’i hetojë krimet në mënyrë të drejtpërdrejtë apo t’i ndryshojë aktvendimet e gjykatës ose të japë vendime detyruese.

 

Avokati i Popullit mund të paraqitet në cilësinë e mikut të gjykatës (amicus curiae) në proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, çështjet e barazisë dhe mbrojtjes nga diskriminimit. Avokati i Popullit mund të iniciojë çështje në Gjykatën Kushtetuese në pajtim me Kushtetutën dhe Ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu, Avokati i Popullit i ushtron kompetencat e veta edhe me anë të ndërmjetësimit dhe pajtimit. IAP, nuk merret me hetimin e çështjeve, që kanë të bëjnë me kontestet që zhvillohen ndërmjet personave privat. Shërbimet e ofruara nga Institucioni i Avokatit të Popullit janë falas.

 

IAP mund të ofrojë shërbime edhe për ankesa të qytetarëve të saj, që drejtohen kundër autoriteteve publike jashtë Kosovës, dhe t’i përcjellë ato tek institucioni relevant (në shumicën e rasteve tek institucionet homologe – Ombudsman) në vendin tjetër, ose tek ndonjë institucion tjetër homolog.

 

Sfidë dhe objektiv kryesor i IAP-së mbeten krijimi dhe zhvillimi i asaj, që quhet kulturë e qeverisjes së mirë, e cila nënkupton administrim të mirë, transparencë dhe llogaridhënie të autoriteteve publike para qytetarëve të Kosovës, si dhe forcim të përgjithshëm të sundimit të ligjit. Angazhimi i IAP-së për balancim të raporteve në mes administratës publike dhe qytetarëve, të cilëve kjo administratë mëton t’u shërbejë, ka po këtë qëllim. Rekomandimet e Avokatit të Popullit synojnë të sjellin përmirësime në standardet dhe në cilësinë e shërbimeve të autoriteteve publike ndaj qytetarëve.

 

Synim i veprimtarisë efikase të Avokatit të Popullit është shtimi i besimit të njerëzve te institucioni, edhe tek administrata, duke siguruar relacion koherent ndërmjet qytetarit dhe administratës publike. Kjo është e domosdoshme për funksionimin e demokracisë. Për këtë arsye Avokati i Popullit është pjesë e atyre institucioneve që konsiderohen si garant të demokracisë, të shtetit ligjor dhe të të drejtave të njeriut.

 

Ankesat e personave juridik dhe fizik mund të drejtohen në IAP, sipas një procedure të thjeshtë dhe pa pagesë. Pranimi i ankesave bëhet në Zyrën Qendrore dhe zyrat rajonale të IAP-së. Këto ankesa mund t’u referohen veprimeve, mosveprimeve ose vendimeve të autoriteteve publike, që nga ankuesit mund të konsiderohen të padrejta ose të pafavorshme. Në shqyrtimet e ankesave të tilla, veprimet e juristëve përkatës kanë të bëjnë me dhënien e këshillave juridike, me kërkim të të dhënave dhe informatave nga autoritetet publike përkatëse, nga gjykatat dhe nga institucionet e tjera të rëndësishme, lidhur me ankesat e paraqitura, si dhe me mbikëqyrjen e procedurave të caktuara gjyqësore. Në rastet që kërkojnë veprime të menjëhershme, IAP paraqet kërkesë për masë të përkohshme. Lidhur me këtë, mënyra e veprimit ndryshon, varësisht nga natyra e rasteve individuale.