Kushtetuta
Shkarko KushtetutënNeni 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit]
1. Avokati i Popullit mbikëqyr dhe mbron të drejtat dhe liritë e individëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme dhe të parregullta të autoriteteve publike.
2. Avokati i Popullit është i pavarur në ushtrimin e detyrës dhe nuk pranon udhëzime e ndërhyrje nga organet, institucionet ose autoritetet e tjera, të cilat ushtrojnë pushtetin në Republikën e Kosovës.
3. Çdo organ, institucion ose autoritet tjetër, që ushtron pushtet legjitim në Republikën e Kosovës, është i detyruar t’u përgjigjet kërkesave të Avokatit të Popullit dhe t’i paraqesë atij/asaj të gjitha dokumentet dhe informacionet e kërkuara në pajtim me ligj.
Neni 133 [Zyra e Avokatit të Popullit]
1. Zyra e Avokatit të Popullit është e pavarur, dhe propozon e administron buxhetin e vet, në pajtim me ligj.
2. Avokati i Popullit ka një (1) ose më shumë zëvendës. Numri, mënyra e përzgjedhjes dhe mandati i tyre, rregullohen me ligjin për Avokatin e Popullit. Të paktën një (1) nga zëvendësit e Avokatit të Popullit është pjesëtar i komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.
Neni 134 [Kualifikimi, Zgjedhja dhe Shkarkimi i Avokatit të Popullit]
1. Avokatin e Popullit e zgjedh Kuvendi i Kosovës, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të tij, për një mandat pesë (5) vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.
2. Avokat i Popullit ka të drejtë të zgjidhet çdo shtetas i Republikës së Kosovës, me arsim të lartë, me karakter e moral të lartë, i ndershëm, me eksperiencë dhe njohuri të dalluara në fushën e të drejtave të njeriut.
3. Avokati i Popullit dhe zëvendësit e saj/tij nuk mund të jenë anëtarë të asnjë partie politike, as të ushtrojnë veprimtari politike, shtetërore a private profesionale dhe as të marrin pjesë në organizmat drejtues të organizatave civile, ekonomike dhe tregtare.
4. Avokati i Popullit gëzon imunitetin nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi për veprimet ose vendimet që janë brenda fushës së përgjegjësive të Avokatit të Popullit.
Neni 135 [Raportimi i Avokatit të Popullit]
1. Avokati i Popullit paraqet raport vjetor para Kuvendit të Republikës së Kosovës.
2. Me kërkesën e Kuvendit, Avokati i Popullit duhet të dorëzojë raporte periodike ose tjera Kuvendit. Me kërkesën e Avokatit të Popullit, Kuvendi duhet t’ia lejojë që të dëgjohet.
3. Avokati i Popullit ka të drejtë të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa, nëse vëren shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut nga ana e organeve të administratës publike dhe organeve të tjera shtetërore.
4. Avokati i Popullit ka të drejtë të referojë çështje në Gjykatën Kushtetuese, në pajtim me dispozitat e kësaj Kushtetute.