REAGIM I PËRBASHKËT i Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Forumit për Dialog ndërmjet Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Organizatave të Shoqërisë Civile
Prishtinë, 27 tetor 2026 – Lidhur me përgjegjësinë institucionale për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe mbrojtjen efektive të së drejtës për jetë Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) dhe Forumi për Dialog ndërmjet IAP-së dhe Organizatave të Shoqërisë Civile, në lidhje me rastin e fundit të vrasjes së znj. Arlinda Zekaj, shprehin shqetësimin e tyre të thellë për vazhdimësinë e rasteve të dhunës ndaj grave, të cilat cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, veçanërisht të drejtën për jetë, siguri dhe dinjitet njerëzor.
Duke ritheksuar se mbrojtja e jetës dhe parandalimi i dhunës ndaj grave përbëjnë detyrime themelore të shtetit, IAP dhe Forumi vlerësojnë se raste të tilla kërkojnë, përtej reagimit ndaj pasojave, një qasje të qëndrueshme institucionale, të orientuar drejt parandalimit, mbrojtjes efektive dhe llogaridhënies.
Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe standardet e zhvilluara në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, autoritetet publike kanë detyrimin pozitiv të ndërmarrin masa të arsyeshme dhe efektive për mbrojtjen e jetës së individëve, veçanërisht kur kanë dijeni, ose duhet të kenë dijeni, për ekzistimin e një rreziku real dhe të menjëhershëm. Përmbushja e këtij detyrimi kërkon që autoritetet përgjegjëse të veprojnë me kujdesin e duhur, në kohë dhe në mënyrë të koordinuar, duke siguruar që masat e ndërmarra të jenë të përshtatshme me natyrën dhe shkallën e rrezikut të identifikuar.
Në këtë kontekst, IAP dhe Forumi theksojnë rëndësinë e zbatimit të plotë dhe efektiv të Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (Konventa e Stambollit). Standardet e kësaj Konvente kërkojnë një qasje gjithëpërfshirëse, të bazuar në parandalimin e dhunës, mbrojtjen e viktimave, ndjekjen penale të kryerësve dhe zhvillimin e politikave të koordinuara institucionale.
IAP dhe Forumi u bëjnë thirrje institucioneve publike përgjegjëse që, në kuadër të kompetencave dhe detyrimeve të tyre ligjore, të fuqizojnë mekanizmat për identifikimin e hershëm, vlerësimin individual dhe të vazhdueshëm të rrezikut, si dhe ndërmarrjen në kohë të masave të përshtatshme mbrojtëse. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet trajtimit serioz të çdo raportimi për dhunë, vlerësimit të historikut të saj, identifikimit të faktorëve që tregojnë përshkallëzim të rrezikut dhe sigurimit të zbatimit efektiv të vendimeve gjyqësore dhe masave të mbrojtjes.
Njëkohësisht, theksojmë nevojen për forcimin e bashkërendimit ndërmjet institucioneve të zbatimit të ligjit, organeve të drejtësisë, shërbimeve sociale dhe mekanizmave të tjerë përgjegjës, në mënyrë që mbrojtja e viktimave të mos kufizohet në veprime të veçuara procedurale, por të sigurohet përmes një reagimi institucional të integruar, të vazhdueshëm dhe efektiv.
IAP dhe Forumi vlerësojnë se çdo rast i rëndë i dhunës kërkon shqyrtim të plotë, të paanshëm dhe objektiv të veprimeve dhe mosveprimeve të autoriteteve përgjegjëse, me qëllim të identifikimit të mangësive eventuale, përcaktimit të përgjegjësive sipas ligjit dhe ndërmarrjes së masave që parandalojnë përsëritjen e rasteve të ngjashme. Llogaridhënia institucionale, krahas përgjegjësisë individuale, duhet të shërbejë edhe si mekanizëm për përmirësimin e praktikave dhe forcimin e sistemit të mbrojtjes.
Duke njohur rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe shoqërisë civile, IAP dhe Forumi ritheksojnë angazhimin e tyre të përbashkët për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, fuqizimin e zërit të shoqërisë civile dhe avancimin e përgjegjësisë institucionale. Në këtë drejtim, dialogu, monitorimi i zbatimit të detyrimeve ligjore dhe adresimi i mangësive sistemike mbeten instrumente të rëndësishme për forcimin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore.
Mbrojtja efektive e së drejtës për jetë nuk mund të vlerësohet vetëm përmes ekzistimit të garancive ligjore, por mbi të gjitha përmes zbatimit të tyre në praktikë. Parandalimi i dhunës ndaj grave kërkon veprim institucional në kohë, përgjegjësi të qartë dhe masa mbrojtëse që ofrojnë siguri reale për personat e rrezikuar.
Institucioni i Avokatit të Popullit
Forumi për Dialog ndërmjet Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Organizatave të Shoqërisë Civile
Organizatat e shoqërisë civile që mbështesin këtë deklaratë të përbashkët:
Shoqata Down Syndrome Kosova
AVONET
Qendra Kosovare për Studime Gjinore
CSGD
CEL Kosova
Group for Legal and Political Studies
SOS Children’s Villages Kosovo
NGO EcoZ
Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar
CDF
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF
ACDC
OJQ EC Ma Ndryshe
Advancing Together -AT
Save the Children
KallxoPerNime/Drejtesia në Kosovë
KRCT
KGVK