U mbajt tryeza e diskutimit për tarifat e reja të taksave gjyqësore
Prishtinë, 9 tetor, 2026 – Avokati i Popullit në bashkëpunim me organizatën jo-qeveritare “Grupi për Studime Juridike dhe Politike” (GLPS) organizuan një tryezë diskutimi lidhur me ndikimin e Udhëzimit Administrativ për Unifikimin e Taksave Gjyqësore në realizimin e së drejtës për qasje në drejtësi.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj theksoi se ka dal me një Opinion ku edhe janë ngritur shqetësimet lidhur me rritjen e konsiderueshme të disa taksave gjyqësore, pagesat shtesë dhe ushtrimin e mjeteve juridike. Ai shtoi se vendosja e taksave gjyqësore duhet të bëhet në mënyrë të balancuar, në mënyrë që ato të mos paraqesin pengesë për qytetarët në qasjen në drejtësi.
“Këto elemente, të marra së bashku, mund të krijojnë pengesa financiare joproporcionale për qytetarët që kërkojnë mbrojtje gjyqësore”, tha Qelaj.
Ai tha se Opinioni nuk trajton vetëm ndikimin e tarifave gjyqësore, por edhe përgjegjësinë e institucioneve për të garantuar që qytetarët të kenë mundësi reale për të kërkuar mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Liridon Salihi, menaxher i projekteve në GLPS, shprehu shqetësimin e organizatës lidhur me bazën ligjore të taksave gjyqësore dhe theksoi se disa prej tyre janë rritur deri në 600 për qind.
“Si dilemë të parë kemi thënë që është baza ligjore. E tha edhe Avokati i Popullit, ndonëse Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës i jep një kompetencë KGJK-së për të bërë unifikimin e taksave gjyqësore, në fakt, a duhet të shihet kjo si e drejtë edhe për vendosjen, edhe për lartësinë e taksave për shërbime të caktuara që jepen nga ana e gjyqësorit?”, tha Salihi.
Nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, foli Gjyqtari Agron Maxhuni, i cili tha se pas zhvillimit të procedurave të brendshme, Këshilli Gjyqësor ka ndërmarrë veprime për unifikimin e taksave gjyqësore në të gjithë Republikën e Kosovës. Ai shtoi se ky udhëzim administrativ ka kaluar në një proces të gjerë konsultimi të brendshëm dhe të jashtëm me të gjitha gjykatat e Kosovës, me të gjitha organizatat të cilat e përcjellin sistemin gjyqësor të Kosovës. Ai shtoi se KGjK do të kryejë një analizë të plotë të ndikimit të udhëzimit pas kalimit të fazës një vjeçare.
Pjesëmarrësit tjerë në këtë tryeze theksuan se ndryshimet në lartësinë e taksave gjyqësore duhet të mbështeten në analiza të mirëfillta financiare dhe vlerësime të ndikimit në të drejtat e qytetarëve. U theksua se rritja e taksave, në disa raste deri në 600%, kërkon arsyetim të bazuar në të dhëna proporcionalisht me gjendjen ekonomike të qytetarëve.
Po ashtu, në këtë tryezë u tha se duhet të kihet vëmendje në respektimin e parimit të proporcionalitetit dhe garantimit të qasjes së barabartë në drejtësi. U theksua se lartësia e taksave gjyqësore duhet të jetë proporcionale me rrethanat ekonomike të qytetarëve dhe të mos përbëjë pengesë për ushtrimin e të drejtave të tyre. Taksa gjyqësore nuk duhet të trajtohet vetëm si kosto e procedurës, por duhet të vlerësohet edhe në raport me të drejtën për qasje efektive në drejtësi.