Featured Image

Në prag të shënimit të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor vizitohet Instituti Special në Shtime

09/10/2026

Prishtinë, 9 tetor 2026 – Zëvendës Avokati i Popullit, z. Basri Kastrati, dhe drejtoresha e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKP), znj. Shqipe Ibraj Mala, së bashku me stafin e MKP-së, vizituan të premten Institutin Special në Shtime.

Kjo vizitë u shënua në prag të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor që shënohet më 10 tetor.

Ekipi u prit nga drejtori i Institutit, z. Xhemajl Dugolli, dhe stafi i tij, me të cilët diskutuan për punën dhe aktivitetet e përditshme të këtij institucioni rezidencial, i cili ofron përkujdesje për 61 persona pa përkujdesje familjare, përfshirë shërbimet shëndetësore dhe sociale.

Gjatë takimit, drejtori Dugolli theksoi se buxheti për këtë vit është rritur në mënyrë të kënaqshme. Ai gjithashtu informoi ekipin se ndërtimi i objektit të ri është duke vazhduar sipas planifikimeve dhe se punimet po ecin mirë.

Instituti ofron shërbime 24-orëshe për personat me nevoja të veçanta, duke përfshirë ushqim, veshmbathje, përkujdesje shëndetësore, terapinë e punës, aktivitetet edukative dhe aftësuese, si dhe trajtim social.

Në kuadër të vizitës, Zëvendës Avokati i Popullit, z. Basri Kastrati, së bashku me ekipin e MKP-së, vizitoi punëtoritë, qendrat ditore, dhomën mjekësore, kuzhinën dhe hapësirat e tjera ku qëndrojnë rezidentët, me qëllim të njohjes nga afër me kushtet dhe shërbimet që u ofrohen atyre.

Z. Kastrati theksoi rëndësinë e vazhdimit të zhvillimit dhe përmirësimit të shërbimeve të Institutit, duke shprehur gatishmërinë e Institucionit të Avokatit të Popullit për të kontribuar, në kuadër të mandatit të tij, në avancimin e mëtejshëm të të drejtave dhe mirëqenies së personave që përfitojnë nga shërbimet e këtij institucioni.