Featured Image

Komunikatë për media – Avokati i Popullit publikoi Opinion lidhur me caktimin e shtesës së rrezikshmërisë për gjyqtarët e Departamentit Special

08/09/2026

Prishtinë, 8 shtator 2026 – Përmes këtij opinioni Avokati i Popullit shprehë qëndrimin lidhur me nevojën për shqyrtimin e shtesës së rrezikshmërisë për gjyqtarët e Departamentit Special, duke e vlerësuar trajtimin e kësaj shtese edhe në raport me funksione të krahasueshme brenda sistemit të drejtësisë penale.

Në këtë drejtim, Opinioni synon të kontribuojë në promovimin e një qasjeje më të balancuar dhe koherente në trajtimin financiar të funksioneve që bartin përgjegjësi, rrezikshmëri dhe kompleksitet të krahasueshëm, në përputhje me parimet kushtetuese të barazisë para ligjit, sigurisë juridike dhe pavarësisë së gjyqësorit.

Avokati i Popullit, thekson se parimi i “punës me vlerë të njëjtë, pagë e barabartë”, i njohur si në të drejtën e punës ashtu edhe në praktikën ligjore dhe kushtetuese, kërkon që funksionet që bartin përgjegjësi dhe vlerë të krahasueshme shoqërore e profesionale të trajtohen në mënyrë të barabartë në aspektin financiar. Historikisht, legjislacioni në Kosovë ka ndjekur këtë qasje, duke trajtuar pozitat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në nivele ekuivalente si të barasvlershme për sa i përket pagës bazë dhe kategorizimit funksional.

Avokati i Popullit vlerëson se, ndonëse funksionet e gjyqtarit dhe prokurorit dallojnë në natyrë, kompetenca dhe pozitë institucionale, ekzistojnë elemente të rëndësishme që mundësojnë krahasimin e tyre për qëllime të vlerësimit të trajtimit financiar. Prokurorët e Prokurorisë Speciale ushtrojnë funksionin e hetimit dhe ndjekjes penale, ndërsa gjyqtarët e Departamentit Special ushtrojnë funksionin e vendimmarrjes gjyqësore, duke garantuar zhvillimin e rregullt të procesit dhe duke marrë vendime përfundimtare e detyruese mbi çështjet që shqyrtojnë.

Në këto rrethana, Avokati i Popullit vlerëson se dallimi i vazhdueshëm në kompensim ndërmjet gjyqtarëve të Departamentit Special dhe prokurorëve të Prokurorisë Speciale, në mungesë të një arsyetimi objektiv dhe proporcional mjaftueshëm të qartë, mund të duket jo plotësisht në harmoni me standardin e pavarësisë së gjyqësorit të garantuar me nenin 102 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Një dallim i tillë, për nga intensiteti dhe vazhdimësia e tij, mund të reflektohet edhe në perceptimin lidhur me sigurinë financiare, motivimin dhe pozitën institucionale të gjyqtarëve të Departamentit Special, si dhe potencialisht të ndikojë në koherencën e përgjithshme të sistemit të drejtësisë.

Përfundimisht, Avokati i Popullit thekson se, ndonëse ndërmjet Departamentit Special dhe Prokurorisë Speciale ekzistojnë dallime në statusin dhe organizimin institucional, këto dallime duhet të vlerësohen së bashku me natyrën, përgjegjësinë, kompleksitetin dhe rrezikshmërinë e funksioneve përkatëse. Qëllimi i këtij Opinioni nuk është cenimi apo zvogëlimi i të drejtave financiare të asnjë kategorie funksionale, por shqyrtimi i trajtimit të shtesës së gjyqtarëve të Departamentit Special dhe i mundësisë për një qasje më të harmonizuar në përcaktimin e saj, në përputhje me parimet kushtetuese dhe ligjore.

Në këtë drejtim, shqyrtimi i mundësisë për harmonizimin e kësaj shtese me trajtimin financiar të funksioneve të krahasueshme, duke marrë parasysh njëkohësisht dallimet institucionale dhe përgjegjësinë vendimmarrëse të gjyqtarëve, mund të kontribuojë në adresimin e dallimeve ekzistuese dhe në forcimin e koherencës dhe funksionalitetit të sistemit të drejtësisë në tërësi.

Opinioni i plotë -> https://bit.ly/4ylT2c2