Featured Image

KOMUNIKATË PËR MEDIA – Avokati i Popullit publikoi Raportin Vjetor për Zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2025

03/09/2026

Prishtinë, 3 shtator 2026 – Avokati i Popullit ka publikuar Raportin Vjetor për Zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2025, i cili pasqyron gjendjen e mbrojtjes nga diskriminimi në Republikën e Kosovës dhe sfidat në zbatimin e legjislacionit përkatës.

Raporti vlerëson se Kosova ka një kornizë ligjore të avancuar dhe në masë të konsiderueshme të harmonizuar me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, por sfida kryesore mbetet zbatimi efektiv dhe i qëndrueshëm i saj në praktikë.

Gjatë vitit 2025, Avokati i Popullit ka evidentuar raste të diskriminimit dhe trajtimit të pabarabartë në fusha të ndryshme, përfshirë punësimin, qasjen në shërbime publike, mbrojtjen sociale, të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe barazinë gjinore.

Një nga shqetësimet kryesore të evidentuara në raport është niveli i ulët i zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi nga institucionet publike. Në një numër institucionesh, mekanizmat për mbrojtjen nga diskriminimi nuk janë funksionalizuar në mënyrë të mjaftueshme, mungojnë të dhëna të plota dhe të standardizuara për rastet e diskriminimit, ndërsa obligimet ligjore shpesh mbeten në nivel formal.

Raporti evidenton gjithashtu se pengesat në realizimin e të drejtave nuk lidhen vetëm me veprime individuale, por në një numër rastesh edhe me mënyrën e zbatimit të legjislacionit, politikat dhe praktikat institucionale. Mungesa e një sistemi të unifikuar për evidentimin dhe raportimin e rasteve të diskriminimit e vështirëson krijimin e një pasqyre të plotë të situatës në vend.

Ky është viti i tretë radhazi që Avokati i Popullit i paraqet Kuvendit raport të veçantë për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Megjithatë, dy raportet e mëparshme ende nuk janë shqyrtuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke kufizuar debatin institucional dhe mundësinë për adresimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit përmes masave konkrete. Avokati i Popullit thekson se raporti duhet të shërbejë si thirrje për veprim dhe përgjegjësi institucionale, me qëllim të forcimit të mekanizmave për mbrojtjen nga diskriminimi, rritjes së llogaridhënies dhe sigurimit të zbatimit efektiv të legjislacionit.

Mbrojtja nga diskriminimi dhe respektimi i parimit të barazisë janë detyrime kushtetuese dhe ligjore dhe njëkohësisht parakushte për një shoqëri demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të drejtë.

Raporti i plotë: https://tinyurl.com/4f9b3r35