Featured Image

Avokati i Popullit prezanton përvojën e Kosovës në Forumin e Ombudsmanëve nga Ballkani dhe vendet fqinje

03/09/2026

Stamboll, 3 shtator 2026 – Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, z. Naim Qelaj, mori pjesë si folës në Forumin për Shkëmbimin e Përvojave të Avokatëve të Popullit nga Rajoni i Ballkanit dhe Vendet Fqinje, që po mbahet më 3 – 4 shtator 2026 në Stamboll, në organizim të Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Turqisë.

Forumi, i cili mbledh Avokatë të Popullit dhe përfaqësues të institucioneve të të drejtave të njeriut nga vendet e Ballkanit dhe vendeve fqinje, i kushtohet rolit të institucioneve të Avokatit të Popullit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e administrimit të mirë, si dhe shkëmbimit të përvojave dhe praktikave ndërmjet institucioneve pjesëmarrëse.

Në sesionin e parë të Forumit, me temën “Avokati i Popullit dhe institucionet e të drejtave të njeriut si urë besimi ndërmjet qytetarëve dhe shtetit”, z. Qelaj prezantoi përvojën e Kosovës në forcimin e besimit të qytetarëve në institucionin e Avokatit të Popullit dhe në ushtrimin e mandatit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në fjalën e tij, ai tha se besimi publik nuk ndërtohet vetëm përmes pavarësisë së garantuar me ligj, por mbi të gjitha përmes veprimeve konkrete, integritetit institucional dhe rezultateve në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

Ai theksoi se Institucioni i Avokatit të Popullit nuk mund të kufizohet vetëm në pranimin e ankesave, por duhet të dëgjojë, hetojë, reagojë, komunikojë dhe të kërkojë ndryshim, duke qenë pranë qytetarëve në momentet kur të drejtat e tyre janë në rrezik.

“Besimi nuk krijohet duke kërkuar që qytetari t’i besojë institucionit, besimi krijohet kur institucioni, çdo ditë, i jep qytetarit arsye për të besuar, duke e dëgjuar, duke qenë pranë tij dhe duke bërë gjithçka që është në mandatin tonë për ta kthyer mbrojtjen e të drejtave të njeriut në ndryshim real në jetën e njerëzve”, theksoi z. Qelaj.

Avokati i Popullit ritheksoi se mandati i tij ushtrohet në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre komunitare, duke theksuar se çdo ankesë apo shqetësim i ngritur nga qytetarët duhet të marrë vëmendjen dhe përgjigjen e Institucionit.

Në përmbyllje, Avokati i Popullit Naim Qelaj theksoi se përvoja e Kosovës dëshmon se besimi ndërmjet qytetarëve dhe shtetit mund të ndërtohet vetëm mbi parime të forta të pavarësisë, paanshmërisë, profesionalizmit, qartësisë, transparencës, reagimit në kohë, guximit dhe rezultateve.

Programi i Forumit përfshin gjithsej gjashtë sesione tematike, të cilat trajtojnë çështje të rëndësishme për punën e institucioneve të Avokatit të Popullit, përfshirë mbrojtjen e të drejtave të banorëve të zonave të largëta dhe rurale, kontributin e institucioneve në promovimin e parimeve të administrimit të mirë, problemet dhe sfidat e përbashkëta rajonale, si dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e të drejtave të njeriut.

Në Forum marrin pjesë Avokatë të Popullit dhe përfaqësues të institucioneve të të drejtave të njeriut nga Kosova, Turqisë, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Kroacia, Sllovenia, Rumania, Hungaria, Çekia, Sllovakia dhe Bullgaria, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për dialog dhe shkëmbim të përvojave ndërmjet institucioneve të rajonit dhe vendeve fqinje.