Featured Image

Komunikatë për media – Avokati i Popullit ka publikuar Raportin me Rekomandime ex officio nr. 1128/2024, i cili trajton çështjen e arsimimit cilësor dhe përdorimit të gjuhës së shenjave për personat e shurdhër në Republikën e Kosovës

24/07/2026

Prishtinë, më 23 korrik 2026 – Hetimi është iniciuar pas shqetësimeve të ngritura nga individë dhe organizata të shoqërisë civile se një numër i konsiderueshëm i personave të shurdhër, edhe pse përfundojnë arsimin e mesëm të lartë me nota të larta, nuk arrijnë të zotërojnë shkathtësitë bazë të shkrim-leximit.

Në kuadër të hetimit, Avokati i Popullit ka vlerësuar nëse sistemi arsimor garanton të drejtën për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Gjatë hetimit, Avokati i Popullit ka zhvilluar komunikim me Qendrën Burimore “Nënë Tereza” në Prizren si dhe ka kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës informacione lidhur me kurrikulat, përgatitjen profesionale të stafit mësimdhënës, përdorimin e gjuhës së shenjave dhe masat për ofrimin e arsimit cilësor për nxënësit e shurdhër dhe me dëmtime në dëgjim.

Raporti konstaton se, pavarësisht garancive kushtetuese dhe ligjore, fëmijët e shurdhër dhe ata me dëmtime në dëgjim vazhdojnë të përballen me pengesa serioze në realizimin e së drejtës për arsim cilësor. Mungesa e personelit të specializuar, e mësimdhënësve të trajnuar në gjuhën e shenjave, e interpretëve, e materialeve të përshtatshme mësimore dhe e mekanizmave efektivë për vlerësimin e njohurive cenon cilësinë e arsimit dhe rrit rrezikun e diskriminimit, duke kufizuar mundësitë për zhvillim dhe pjesëmarrje të barabartë në shoqëri.

Avokati i Popullit vlerëson se shteti ka detyrim të garantojë arsim cilësor, efektiv dhe të barabartë për çdo fëmijë, pa diskriminim, duke siguruar që fëmijët e shurdhër të kenë qasje të plotë në arsim dhe mundësi të barabarta për zhvillim dhe integrim në shoqëri.

Për këtë arsye, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që të sigurojë zbatimin efektiv të dispozitave ligjore për arsimin gjithëpërfshirës, të angazhojë staf të specializuar shumëdisiplinar në Qendrën Burimore “Nënë Tereza”, të garantojë zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mësimdhënësve, instruktorëve dhe interpretëve të gjuhës së shenjave, si dhe të zhvillojë inspektime të rregullta për të monitoruar cilësinë e arsimit që u ofrohet nxënësve me dëmtime në dëgjim.

Raporti i plotë -> https://bit.ly/4vLwFuY