Featured Image

Avokati i Popullit takoi kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës

21/07/2026

Prishtinë, 21 korrik 2026 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, takoi kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), z. Rrustem Thaqi, me të cilin diskutoi për rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Gjatë takimit u trajtuan çështje që lidhen me funksionimin e sistemit gjyqësor, qasjen e qytetarëve në drejtësi, efikasitetin e procedurave gjyqësore, si dhe rëndësinë e respektimit të standardeve të të drejtave të njeriut në administrimin e drejtësisë.

Avokati i Popullit theksoi se një sistem gjyqësor i pavarur, efikas dhe i paanshëm është shtyllë themelore e shtetit të së drejtës dhe garantues i mbrojtjes efektive të të drejtave të qytetarëve. Ai nënvizoi gatishmërinë e Institucionit të Avokatit të Popullit për të vazhduar bashkëpunimin me Këshillin Gjyqësor të Kosovës në adresimin e sfidave që prekin të drejtat e njeriut dhe në avancimin e standardeve të sundimit të ligjit.

Nga ana e tij, kryesuesi i KGJK-së, z. Rrustem Thaqi, shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit me Institucionin e Avokatit të Popullit, duke vlerësuar rëndësinë e dialogut institucional dhe të shkëmbimit të përvojave për fuqizimin e sistemit të drejtësisë.

Bashkëbiseduesit u dakorduan për vazhdimin e komunikimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në çështje me interes të përbashkët, me synim përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.