Featured Image

Avokatët e Popullit të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi për forcimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në rajon

23/06/2026

Prizren, 23 qershor 2026 – Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, z. Naim Qelaj, Avokati i Popullit i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Faton Selami, dhe Avokati i Popullit i Republikës së Shqipërisë, z. Endrit Shabani, nënshkruan në Prizren një Marrëveshje Bashkëpunimi, duke vendosur një kornizë të re dhe më të avancuar të bashkëpunimit institucional në funksion të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut në rajon.

Fillimisht palët diskutuan çështje me interes të përbashkët si çështjet civile dhe familjare me element ndërkufitar; roli i institucionit të Avokatit të Popullit në mbrojtjen e të drejtës për shëndet; mbrojtja e fëmijëve në situatë rruge dhe kategorive të tjera të cenueshme; bashkëpunimi për trajtimin e rasteve individuale që përfshijnë më shumë se një shtet; të drejtat e personave të privuar nga liria gjatë orëve të para të intervistimit dhe roli i regjistrimit audio-viziv në garantimin e një procesi të rregullt ligjor; të Drejtat dhe Garancitë Ligjore të Shtetasve të Huaj në Vendet e Privimit të Lirisë dhe në Proceset Gjyqësore si dhe mundësitë për veprime, iniciativa dhe aktivitete të përbashkëta rajonale.

Marrëveshja e nënshkruar bazohet në parimet ndërkombëtare që rregullojnë punën e institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut, duke përfshirë Parimet e Parisit dhe Parimet e Venecias, si dhe reflekton angazhimin e përbashkët të tri institucioneve për forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut.

Përmes kësaj marrëveshjeje, palët angazhohen të intensifikojnë dhe strukturojnë bashkëpunimin e tyre në fusha me interes të përbashkët, përfshirë mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, parandalimin e torturës dhe trajtimit çnjerëzor ose degradues, luftimin e diskriminimit, mbrojtjen e të drejtave të migrantëve dhe refugjatëve, përmirësimin e kushteve në vendet e privimit nga liria, promovimin e qasjes në drejtësi, adresimin e sfidave që lidhen me mjedisin dhe klimën, si dhe mbrojtjen e të drejtave digjitale në epokën e teknologjive të reja.

Marrëveshja parashikon organizimin e një konference vjetore rajonale, e cila do të shërbejë si platformë për diskutimin e zhvillimeve në fushën e të drejtave të njeriut dhe do të kulmojë me miratimin e një deklarate të përbashkët mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në rajon.

Një aspekt i rëndësishëm i bashkëpunimit do të jetë krijimi i mekanizmave të dedikuar për trajtimin më efikas të rasteve që përfshijnë qytetarë të njërit shtet brenda juridiksionit të një shteti tjetër, duke mundësuar komunikim të drejtpërdrejtë ndërinstitucional dhe mbrojtje më efektive të të drejtave të tyre.

Po ashtu, marrëveshja parasheh shkëmbimin e përvojave profesionale, zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta, shkëmbimin e ekspertëve dhe koordinimin e qëndrimeve në forume ndërkombëtare dhe rajonale të të drejtave të njeriut.

Duke njohur sfidat e përbashkëta dhe lidhjet e ngushta kulturore e shoqërore në rajon, tre institucionet riafirmuan përkushtimin e tyre për të vepruar në solidaritet dhe për të mbështetur njëra-tjetrën në mbrojtjen e pavarësisë institucionale dhe avancimin e standardeve të të drejtave të njeriut.

Nënshkrimi i kësaj Marrëveshjeje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe krijimit të një qasjeje më të koordinuar në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.