Featured Image

Avokati i Popullit mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Ombudsmanëve në Romë të Italisë

29/05/2026

Prishtinë, 29 maj 2026 – Më 28 dhe 29 maj 2026, Institucioni i Avokatit të Popullit(IAP), i përfaqësuar nga një delegacion në përbërje të z. Naim Qelaj, Avokat i Popullit, znj. Anita Çavdarbasha Korenica, Zëvendëse e Avokatit të Popullit dhe znj. Arberita Kryeziu, Udhëheqëse e Zyrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Ombudsmanëve, e mbajtur në Parlamentin Italian, me temën “Mbrojtja qytetare, të drejtat dhe inovacioni demokratik”.

Konferenca mblodhi institucione të Ombudsmanëve, ekspertë të të drejtave të njeriut, ndërmjetësues, akademikë dhe përfaqësues institucionalë nga Evropa, Afrika, Azia dhe Amerika. Qëllimi i saj ishte forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet institucioneve të Ombudsmanëve, si dhe promovimi i Deklaratës së Romës 2026 si një kornizë e përbashkët për avancimin e punës së tyre në nivel global.

Konferenca u zhvillua në tri sesione të punës, me tematika të ndryshe të diskutimit. Në sesionin e dytë, me temën “Ndërtimi i një rrjeti ndërkombëtar të mbrojtjes: bashkëpunimi dhe shkëmbimi i praktikave më të mira”, Institucioni i Avokatit të Popullit mbajti një prezantim mbi rëndësinë e forcimit të rrjeteve ndërkombëtare të bashkëpunimit në fushën e të drejtave të njeriut.

Në këtë adresim u theksua se sfidat bashkëkohore në fushën e të drejtave të njeriut, përfshirë presionet mbi pavarësinë institucionale, dezinformimin, polarizimin shoqëror, pabarazitë dhe kufizimin e hapësirës qytetare janë sfida që tejkalojnë kufijtë kombëtarë dhe kërkojnë përgjigje të përbashkëta dhe të koordinuara në nivel ndërkombëtar. Duke iu referuar parimeve themelore ndërkombëtare, u ritheksua se pavarësia institucionale mbetet gurthemel i efektivitetit dhe besueshmërisë së institucioneve të Ombudsmanëve, siç garantohet nga Parimet e Parisit të Kombeve të Bashkuara dhe Parimet e Venecias të Këshillit të Evropës. Në këtë kontekst, u nënvizua se pa pavarësi institucionale nuk mund të ketë besim publik, dhe pa besim publik nuk mund të ketë mbrojtje efektive të të drejtave të njeriut.

Gjatë qëndrimit në Romë, në mesin e shumë takimeve të tjera, delegacioni i Institucionit të Avokatit të Popullit zhvilloi gjithashtu një takim me Ombudsmanen Evropiane, znj. Teresa Anjinho, me të cilën u diskutua për përfshirjen e Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës në aktivitetet e Rrjetit Evropian të Ombudsmanëve (ENO), si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të praktikave në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Në kuadër të programit zyrtar të konferencës, delegacionet pjesëmarrëse morën pjesë edhe në Audiencën e Përgjithshme me Shenjtërinë e Tij, Papa Leo XIV, më 27 maj 2026 në Vatikan. Kjo ngjarje përfaqëson një moment me rëndësi të veçantë në kuadër të dialogut dhe angazhimit ndërkombëtar, duke riafirmuar rolin e vlerave universale të dinjitetit njerëzor, paqes, solidaritetit dhe respektimit të të drejtave themelore në promovimin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet popujve dhe institucioneve.

Pjesëmarrja e Institucionit të Avokatit të Popullit në këtë forum ndërkombëtar rikonfirmon përkushtimin e tij të vazhdueshëm për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet homologe dhe partnerët ndërkombëtarë.

Konferenca përfundoi me miratimin e Deklaratës së Romës 2026, duke riafirmuar përkushtimin e përbashkët të institucioneve pjesëmarrëse për forcimin e qeverisjes demokratike, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen efektive të të drejtave të qytetarëve përmes institucioneve të pavarura të Ombudsmanëve.