Avokati i Popullit mori pjesë në lansimin e udhëzuesit për komunitetet rom dhe sinti
Prishtinë, 18 maj 2026 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj mori pjesë në një tryezë diskutimi me ç ‘rast u prezantua udhëzuesi “Integrimi i Çështjeve të Romëve dhe Sintive në Punën e Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe Organeve Kombëtare të Barazisë”. Tryeza u organizua nga zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) e cila e lansoi këtë udhëzues.
Avokati i Popullit vlerësoi lart udhëzimin për integrimin e çështjeve të Romëve dhe Sintive si një instrument të fuqishëm për promovimin e të drejtave të njeriut dhe barazisë për komunitetin rom, por edhe për komunitetet tjera jo-shumicë.
Ai tha se nxitja e bashkëpunimit është një ndër qëllimet kryesore të këtij udhëzimi dhe Institucioni i Avokatit të Popullit do ta përdorë atë si udhërrëfyes në punën dhe aktivitetet e tij.
Z. Qelaj tha se ka organizuar shumë vizita në terren me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian dhe këtë punë vazhdon ta bëjë. Në shumicën e këtyre vizitave janë gjetur shkelje dhe si rrjedhojë janë hapur raste sipas detyrës zyrtare lidhur me ofrimin e kushteve të përshtatshme të banimit.
Avokati i Popullit theksoi po ashtu se nga bashkëpunimi me OJQ-të që merren me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë identifikuar edhe sfida të tjera siç janë punësimi, të drejtat pronësore dhe çështjet e edukimit.
Në vitin 2025, Institucioni i Avokatit të Popullit ka pranuar 11 ankesa nga komuniteti rom, 23 ankesa nga komuniteti ashkali dhe 8 ankesa nga komuniteti egjiptian. Ankesat më të shpeshta përfshinin çështjet pronësore – përfshirë lejet ndërtimore dhe vërtetimin e pronësisë; njohjen e gjuhës rome në përdorim zyrtar në komuna; pretendime për cenim të të drejtave në marrëdhënie pune; trajtim të padinjitetshëm mjekësore, si dhe zvarritje të procedurave gjyqësore në konteste civile.
Në vitin 2021, OSBE/ODIHR realizoi një vlerësim të nevojave me qëllim hartimin e një raporti që analizonte nevojat për forcimin e kapaciteteve të Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut (IKDNJ) dhe Organeve Kombëtare të Barazisë (ORB) në adresimin më efektiv të çështjeve që prekin komunitetet rome dhe sinti në kuadër të punës së tyre.