Featured Image

Shënohet Dita Ndërkombëtare e Familjes

15/05/2026

Prishtinë, 15 maj 2026 – Përmes një tryeze diskutimi, Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë kanë shënuar Ditën Ndërkombëtare të Familjes. Në tryezë morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike si dhe nga organizatat tjera jo-qeveritare.

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se kjo ditë na kujton se familja mbetet themeli kryesor i shoqërisë dhe se çdo familje duhet të gëzojë mbështetje institucionale, siguri ekonomike, dhe me dinjitet të plotë.

Ai tha se është përgjegjësi e institucioneve që të punojnë më shumë në marrjen e masave parandaluese dhe kështu të sigurohet mbrojtje për fëmijët, gratë, të moshuarit dhe të gjitha kategoritë e cenueshme brenda familjes.

Avokati i Popullit nënvizoi disa nga çështjet që ka ngritur dhe ka kryer hetime e në veçanti për dhunën në shkolla, peshën e çantave shkollore, fëmijët me aftësi të kufizuara dhe kyçja e tyre në sistemin edukues që nga parashkollorët, etj.

Drejtorja Nacionale e SOS Fshatrat e Fëmijëve, znj. Nezahat Salihu theksoi se organizata ka bërë shumë përpjekje duke avokuar për fëmijët pa përkujdesje. Ajo shtoi se kanë punuar shumë që këtë fëmijë të jenë të pavarur dhe me mbështetje sociale pas arritjes së moshës madhore.