Featured Image

Avokati i Populli takoi përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile

28/04/2026

Prishtinë, 28 prill 2026 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj priti në takim përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile që janë pjesë e Forumit për Dialog ndërmjet IAP-së dhe Organizatave të Shoqërisë Civile.

Z. Qelaj theksoi rëndësinë dhe rolin që ky Forum ka luajtur përgjatë viteve të themelimit, duke lënë hapësira të vazhdimit të bashkëpunimit në mes të Shoqërisë Civile dhe Institucionit të Avokatit të Popullit për arritjen e qëllimeve të përbashkëta.

Avokati i Popullit prezantoi punën e IAP-së gjatë vitit 2025 në përmbushjen e objektivave të dala nga plani i punës së Forumit për Dialog, i cili prezantim rezultoi me një debat konstruktiv sa i përket veprimeve të ndërmarra si nga IAP ashtu edhe nga OSHC-të për realizimin e këtyre qëllimeve.

Në vijim të diskutimit u ngritën çështje të ndryshme si ajo e mjedisit, ku si problematika u prezantuan gurthyesit dhe abuzimi i ujit të pijshëm nga qytetarët që e përdorin për tokat bujqësore dhe mungesa e reagimit institucional për mbrojtje të mjedisit nga ushtrimi i kësaj veprimtarie.

Një çështje tjetër që u ngrit ishte lidhur me strehimoren në Novobërdë e cila ka problem me gjetjen e familjeve strehuese në këtë komunë për fëmijët të cilët i kanë të dy prindërit jo të aftë për tu kujdesur.

Dhuna në familje dhe dhuna në baza gjinore ishte temë diskutimi po ashtu gjersa përfaqësuesit e organizatave që punojnë në këtë çështje theksuan se fokus më i madh duhet ti jepet dhunës seksuale dhe në qasjen që u ofrohet atyre nga institucionet përkatëse për hulumtimin e këtyre rasteve.

Pjesëmarrësit ngritën si shqetësim prezencën e viktimave të mitura të dhunës seksuale në proceset gjyqësore ku në të njëjtin ambient gjendet edhe kryerësi i dhunës. Po ashtu u kërkua përfshirja dhe angazhimi më i madh i ligjërimit për edukatën seksuale në shkolla të rregullta me qëllim të ngritjes së vetëdijes mbarë shoqërore. Ndërlidhur me këtë çështje u prezantua edhe një shqetësim ku nuk ekziston një qendër e të dhënave e përbashkët ndërmjet Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave për identifikimin e këtyre rasteve, andaj edhe të dhënat që evidentohen nuk janë të sakta.

Tjetër shqetësim i ngritur ishte edhe mungesa e regjistrave amë për regjistrimin e personave të komunitetet serb në Kosovë, një problem ky i hasur në Agjencinë për Regjistrim Civil si dhe në Departamentin për Shtetësi, Migrim dhe Azil pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.