Avokati i Popullit organizoi tryezë diskutimi për sfidat në zbatimin e masave psikiatrike në liri dhe mbikëqyrjen e lirimit me kusht
Prishtinë, 9 mars 2026 – Avokati i Popullit organizoi tryezë diskutimi me temë “Sfidat në zbatimin e masave të detyrueshme psikiatrike në liri dhe mbikëqyrja e lirimit me kusht nga institucionet përgjegjëse”.
Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues nga institucionet relevante, përfshirë Shërbimin Sprovues të Kosovës, Panelin për Lirim me Kusht, Shërbimin Korrektues të Kosovës, Qendrat e Shëndetit Mendor, Qendrat për Punë Sociale, gjyqësorin, organizata ndërkombëtare dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj theksoi rëndësinë e trajtimit me dinjitet të personave me çrregullime mendore dhe nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për zbatimin efektiv të masave psikiatrike dhe lirimeve me kusht.
Zëvendës Avokati i Popullit, z. Basri Kastrati gjithashtu përshëndeti pjesëmarrësit dhe shprehu shpresën që diskutimet e kësaj tryeze të kontribuojnë në identifikimin e sfidave dhe në nxjerrjen e rekomandimeve konkrete për përmirësimin e praktikës institucionale.
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e institucioneve theksuan një sërë sfidash në zbatimin praktik të masave psikiatrike në liri dhe në mbikëqyrjen e lirimit me kusht.
Përfaqësuesit e Shërbimit Sprovues të Kosovës nënvizuan se një ndër sfidat kryesore mbetet ekzistimi i vendimeve paralele ndërmjet gjykatave dhe Panelit për Lirim me Kusht lidhur me lirimet e parakohshme, gjë që krijon pasiguri dhe paqartësi në praktikë. Po ashtu, u theksuan vështirësitë në procedurat për revokimin e lirimit me kusht dhe rastet kur personat e dënuar nuk kanë adresë apo vendbanim të qartë, duke e bërë të pamundur monitorimin efektiv.
Përfaqësuesit e Qendrave të Shëndetit Mendor theksuan sfida të tjera, si stigmatizimi i personave me çrregullime mendore, mungesa e burimeve njerëzore dhe numri i madh i rasteve që trajtohen nga një staf i kufizuar. Gjithashtu u theksua se shpeshherë vendimet gjyqësore për trajtimin e detyrueshëm në liri vonohen ose nuk komunikohen me kohë tek institucionet përkatëse, gjë që vështirëson zbatimin e tyre në praktikë.
Në diskutim u përmend edhe nevoja për përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional, për qartësimin e kompetencave ndërmjet institucioneve përgjegjëse dhe për zhvillimin e protokolleve të përbashkëta të bashkëpunimit, në mënyrë që të sigurohet zbatimi më efektiv i masave psikiatrike dhe mbikëqyrja e lirimeve me kusht.
Përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile theksuan rëndësinë e zhvillimit të mëtejmë të masave alternative dhe nevojën për mbështetje institucionale në trajtimin e personave me probleme të shëndetit mendor, përfshirë edhe personat me varësi nga substancat narkotike.
Në përmbyllje të tryezës, Avokati i Popullit theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe respektimi i standardeve të të drejtave të njeriut janë thelbësore për një sistem më funksional dhe më efektiv në trajtimin dhe mbikëqyrjen e këtyre rasteve. Ai shtoi se Avokati i Popullit do të vazhdojë të monitorojë këtë fushë dhe të kontribuojë