Featured Image

Tryezë diskutimi për nder të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut

10/12/2025

Prishtinë, 10 dhjetor 2025 – Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) së bashku me Forumin për Dialog në mes të IAP dhe Organizatave të Shoqërisë Civile (OShC), organizuan një tryezë diskutimi.

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj theksoi rëndësinë e kësaj dite për të kujtuar se mbrojtja e të drejtave të njeriut duhet të jetë në vëmendjen e të gjithëve pa përjashtim. Ai tha se miratimi i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut ka një rëndësi dhe simbolikë të veçantë që ka shënuar një kthesë në të mirë të njerëzimit.
Në këtë tryezë u prezantua edhe raporti “Shëndeti mendor i personave të moshuar: Detyrimi i shtetit për përkujdesje, mbrojtje dhe dinjitet dhe roli i Avokatit të Popullit”.
Avokati i Popullit theksoi se shoqëria kosovare vazhdon të përballet me sfidat dhe problemet sa i përket shëndetit mendor, e në veçanti të shëndetit të qytetarëve të moshës së tretë. Ai tha se problemet e shëndetit mendor që i prekin këta të moshuar duhen të kenë një fokus më të madh nga ana institucionale.
Ai shtoi se këto probleme nuk vijnë si rezultat i neglizhencës së institucioneve kompetente por pengesat vazhdojnë të jenë në krijimin e politikave dhe programeve të duhura për trajtim të problemeve të shëndetit mendor për të moshuarit.
Raporti zbuloi gjetjet, ku ndër të tjera, u theksua mungesa kufizimi i moshës deri në 65 vjeç, si kriter për t’u pranuar në institucione rezidenciale, e që përbën shkelje të dispozitave ligjore të Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare dhe të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi.
Po ashtu, Avokati i Popullit ka gjetur se mungesa e akteve nënligjore të Ligjit për Shëndetin Mendor sfidon zbatimin e ligjit dhe krijon hapësirë për praktikat diskriminuese në ofrimin e shërbimeve të shëndetit mendor lidhur me kufizimin e moshës për personat mbi 65 vjeç.
Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, udhëheqës të shërbimeve shëndetësore dhe përfaqësues të shoqërisë civile.