Gjyqtarët dhe prokurorët e sapoemëruar vizituan Institucionin e Avokatit të Popullit

27/11/2025
Prishtinë, 27 nëntor 2025 – Avokati i Popullit me bashkëpunëtorë priti në takim gjyqtarët dhe prokurorët e sapoemëruar dhe diskutuan për të drejtat e njeriut, sistemin e drejtësisë si dhe për punën e Institucionit të Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj fillimisht foli për historikun e institucionit, i cili shënon 25 vite këtë muaj që nga themelimi, dhe theksoi se Institucioni çdo herë e më shumë po forcohet në rolin e tij në mbrojtje dhe promovim të të drejtave të njeriut.
Ai tha se gjyqësori dhe prokuroria kanë një rol shumë të rëndësishëm në mbrojtën e të drejtave dhe respektimit të standardit për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Avokati i Popullit tha se paraqet opinione në cilësinë e mikut të gjykatës (amicus curie), jep rekomandime për institucionet publike për zbatimin e detyrimeve në fushën e ndalimit të diskriminimit dhe të barazisë, referon çështje në Gjykatën Kushtetuese dhe në mekanizma të tjerë që përcaktohen me ligje të veçanta.
Gjyqtarët dhe prokurorët patën mundësinë që të bashkëbisedojnë dhe u interesuan edhe për fushat tjera që Avokati i Popullit i ka në mandat, e në veçanti çështje që ndërlidhen me sistemin e drejtësisë.
Avokati i Popullit i uroi ata për detyrën e re duke iu dëshiruar suksese në punën e tyre.