Avokati i Popullit takoi pjesëtarët e komunitetit boshnjak në Reqan
24/11/2025
Prishtinë, 24 nëntor 2025 – Takimi me pjesëtarët e komunitetit boshnjak u mbajt në Reqan ku Avokati i Popullit diskutoi për rolin dhe mandatin e tij, duke përfshirë përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë të të drejtave të njeriut.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj theksoi se ai ka rol të veçantë në mbrojtje të të drejtave të komuniteteve dhe takimi në fjalë ofron mundësi të mirë për të diskutuar për sfidat dhe problemet që kanë ky komunitet.
Pjesëmarrësit theksuan se hasin në sfida të ndryshme duke përfshirë përdorimin e gjuhës boshnjake në ato komuna ku kjo gjuhë është zyrtare. Po ashtu, ata theksuan se këto komuna nuk kanë publikime të mjaftueshme dhe të përditësuara në gjuhën boshnjake në ueb faqet zyrtare.
Ata shtuan se mungesa e librave shkollorë në këtë gjuhë paraqesin një sfidë për nxënësit e këtij komuniteti. Në anën tjetër, të diplomuarit vazhdojnë të përballen me çështjen e mosnostrifikimit të diplomave të tyre pas përfundimit të shkollimit të lartë. Zvarritjet e procedurave gjyqësore ishte një ndër sfidat tjera.
Avokati i Popullit theksoi se Institucioni që ai udhëheq është marrë me disa nga problemet e paraqitura në takim, përmes ankesave të qytetarëve por edhe përmes detyrës zyrtare.
Në këtë takim mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, z. Shaqir Totaj.
Kjo tryezë u mbështet nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.