Avokati i Popullit diskutoi për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Prizren
30/09/2025
Prishtinë, 30 shtator 2025 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj mori pjesë të martën në një tryezë të rrumbullakët në Prizren me temë “Qasja me karrocë në qytetin tim”, organizuar nga OJQ “OPDMK”.
Z. Qelaj theksoi se ka bërë hetim në lidhje me vlerësimin e qasshmërisë së trotuareve dhe hapësirave publike me ndikim në lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe respektimin e së drejtës për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm jetësor.
Rezultatet e hulumtimit në terren nxjerrin në pah një sërë problemesh që prodhojnë barriera fizike, dhe që krijojnë kufizime në qasje të lirë dhe të pavarur në hapësirat publike për personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, prindërit me fëmijë të vegjël, apo nga kushdo tjetër që në momente të caktuara mund të ketë vështirësi për qasje në mjedise publike.