Featured Image

Presidentja Osmani priti në takim Avokatin e Popullit

18/07/2025
Prishtinë, 18 korrik 2025 – Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, priti sot në takim Avokatin e Popullit, z. Naim Qelaj. Në këtë takim u diskutua për gjendjen aktuale të të drejtave të njeriut në vend dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët e Republikës së Kosovës.
Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për garantimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ajo theksoi se institucionet duhet të jenë të përkushtuara në zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, si mjet kyç për forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e të drejtave të njeriut.
Avokati i Popullit e informoi Presidenten për çështjet më të shpeshta që adresohen në këtë institucion. Të dy palët u pajtuan për domosdoshmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit në funksion të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut në Kosovë.
Lajmi dhe foto nga Presidenca e Republikës së Kosovës