Featured Image

Komunikatë për shtyp në lidhje me vizitën e Avokatit të Popullit te Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë

20/11/2025

Prishtinë, 20 nëntor 2025 – Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, z. Naim Qelaj, i shoqëruar nga znj. Shqipe Ibraj Mala, drejtoreshë e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, dhe z. Burim Tahiri, drejtor i Departamentit për Çështje Ligjore dhe Hulumtim, realizoi një vizitë monitoruese në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Gjatë kësaj vizite, Avokati i Popullit monitoroi seancat gjyqësore të mbajtura më 12 dhe 13 nëntor. Po ashtu, në qendrën e paraburgimit intervistoi katër të akuzuarit, mbajti takim me përfaqësues të Zyrës për Pjesëmarrjen e Viktimave të Regjistrit, si dhe u takua me ekipet mbrojtëse të të akuzuarve. Gjithashtu, ai realizoi një vizitë edhe në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Hagë.

Qëllimi i vizitës ishte vlerësimi i respektimit të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, veçanërisht të së drejtës për gjykim të drejtë, sipas nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj).

Vizita është kryer nën kufizime të shumta dhe me monitorim të plotë të intervistave në qendrën e paraburgimit. Një monitorim i tillë cenon standardet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT), i cili përcakton se vizitat duhet të jenë private, pa prani të stafit sigurues dhe pa kufizime në mbledhjen e informacioneve.

Në anën tjetër, Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut gëzojnë mandat të pakufizuar për monitorim dhe mbikëqyrje. Çdo përpjekje e ndonjë autoriteti publik për t’u kërkuar atyre që të përmbahen nga monitorimi përbën shkelje të detyrimeve ndërkombëtare, cenon sundimin e ligjit dhe dëmton mbrojtjen efektive të të drejtave të njeriut.

Avokati i Popullit shpreh qëndrimin e tij se mungesa e llogaridhënies së Dhomat e Specializuara të Kosovës ndaj Republikës së Kosovës krijon një rast unik dhe të paprecedent. Dhomat e Specializuara të Kosovës vazhdojnë të operojë pa mekanizëm efektiv raportimi dhe mbikëqyrjeje nga institucionet e Republikës së Kosovës, ndonëse është themeluar me vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Mungesa e llogaridhënies pengon realizimin e standardit të kontrollit demokratik, të garantuar nga parimet e qeverisjes së mirë dhe llogaridhënies publike.

Raportimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj shteteve të tjera, jashtë kornizës kushtetuese të Kosovës, minon transparencën institucionale, krijon klimë frike në publik dhe bie ndesh me kërkesat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) për funksionimin e institucioneve mbi bazën e sundimit të ligjit dhe mbikëqyrjen demokratike të funksioneve publike.

Avokati i Popullit vëren se niveli i ulët i transparencës në proceset gjyqësore dhe mënyra e funksionimit të Dhomave të Specializuara, si dhe informacioni i kufizuar, pengojnë publikun dhe institucionet të kenë qasje në të dhënat e nevojshme për t’u siguruar se po respektohen standardet për një gjykim të drejtë dhe llogaridhënie.

Avokati i Popullit rikujton se standardi i barazisë së armëve garanton një proces të drejtë gjyqësor. Mosrespektimi i këtij parimi ngre shqetësime serioze për përmbushjen e detyrimeve që dalin nga neni 6 i KEDNj-së dhe neni 31 i Kushtetutës.

Avokati i Popullit vëren se Jurisprudenca e GjEDNj-së kërkon që provat të jenë objektive, të besueshme dhe të verifikueshme. Në këtë rrafsh, është evidente se administrimi si provë i librave, të shkruar në një kontekst krejtësisht të pa strukturuar dhe pa një standard minimal objektiviteti, përbën një shkelje flagrante të së drejtës për një gjykim të drejtë.

Mbetet edhe më tej shqetësues fakti i mosdhënies së sqarimit nga Dhomat e Specializuara lidhur me administrimin e provave të siguruara nga autoritetet dhe shërbimi i inteligjencës i shtetit të Serbisë, sepse kjo do të minonte mundësinë e verifikimit të legjitimitetit të këtyre provave, integritetin e vetë provës dhe kredibilitetin e tyre, ngase ekziston një mungesë serioze e ndërtimit të një pragu të provës që është në përputhje me standardet e procedurës penale.

Avokati i Popullit më tej vëren se monitorimi i komunikimeve dhe i vizitave të familjarëve, kufizimi i vizitave familjare dhe kufizimet e tjera gjatë qëndrimit në paraburgim pa afat, të caktuara sipas Konventës Evropiane për Parandalimin e Torturës, përbëjnë shkelje serioze dhe cenim të nenit 3 të KEDNj-së, si dhe janë praktika që cenojnë të drejtën për privatësi dhe lidhje familjare (neni 8 i KEDNj-së).

Gjithashtu, mungesa e mekanizmit të pavarur të ankesave jashtë strukturës së Dhomave të Specializuara dhe mungesa e një mekanizmi të pavarur mbikëqyrës lejon që veprimtaria e Dhomave të Specializuara të zhvillohet pa transparencë dhe pa kontroll institucional, duke cenuar të drejtën për mbrojtje efektive në procedurë. Standardet e GjEDNj-së dhe praktika e vendeve demokratike kërkojnë monitorim të jashtëm të proceseve gjyqësore, sidomos kur ato prekin të drejtat themelore të njeriut. Raportet periodike dhe monitorimi i strukturuar do të forconin integritetin e procesit gjyqësor dhe besimin e publikut.

Avokati i Popullit rithekson se, pavarësisht kufizimeve ligjore të mandatit ndaj Dhomave të Specializuara, institucioni do të vazhdojë monitorimin e zhvillimeve në Hagë, duke bërë përpjekje për të angazhuar mekanizma të pavarur ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që të monitorojnë këtë proces dhe të mundësojnë një kontroll demokratik efektiv.

Ai u bën thirrje autoriteteve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë që t’u kushtojnë vëmendjen e duhur çështjeve të evidentuara, në mënyrë që të rritet transparenca dhe llogaridhënia, të sigurohet barazia e armëve në proces, të përmirësohen kushtet e paraburgimit, si dhe të forcohet besimi i publikut në drejtësi dhe në sundimin e ligjit. Zbatimi i këtyre standardeve mbetet i domosdoshëm për garantimin e gjykimit të drejtë, mbrojtjes së të drejtave themelore dhe integritetit të procesit gjyqësor, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Avokati i Popullit do të përpilojë një opinion lidhur me të gjitha çështjet dhe vështrimet që dolën nga kjo vizitë. Ky opinion do të adresohet te të gjithë mekanizmat e Bashkimit Evropian dhe te autoritetet vendore.