Avokati i Popullit organizoi tryezë diskutimi për gjendjen e të drejtave të komuniteteve
Prishtinë, 31 tetor 2025 -Avokati i Popullit organizoi të premten një tryezë diskutimi me temë “Gjendja e të drejtave të komuniteteve në vend”, e mbwshtetur nga zyra e OSBE-së në Kosovë.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte diskutimi i përbashkët mbi gjendjen e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, të drejta të garantuara në Kapitullin III të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj theksoi rolin e Institucionit të Avokatit të Popullit në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve, si dhe foli për gjetjet nga takimet e realizuara në vendbanimet e banuara me komunitete gjatë dy viteve të fundit.
Ai tha se ankesat nga komunitetet jo-shumicë tek Institucioni i Avokatit të Popullit janë rritur ndër vite duke theksuar se kjo ardhur si rezultat i rritjes së besimit të qytetarëve ndaj IAP-së.
Gjatë vitit 2024, Avokati i Popullit ka pranuar gjithsej 214 ankesa nga pjesëtarët e komuniteteve joshumicë, prej të cilave 127 janë hapur raste për hetim. Ndërsa, gjatë vitit 2025, Avokati i Popullit ka pranuar 276 ankesa nga komunitetet jo shumicë. Prej tyre 191 janë vendosur si të pranueshme për hetim.
Në këtë takim morën pjesë edhe shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, përfaqësuesi i lartë për të Drejtat e Njeriut në UNMIK, Jerome Bouyjou, kryesuesi i Këshillit Konsultativ për Komunitete, Izedin Sagdati si dhe përfaqësuses të tjerë të komuniteteve.
Avokati i Popullit informoi të pranishmit se për vitin e ardhshëm ka planifikuar pesë takime të përbashkëta të këtij niveli, ku do të ftohen edhe ministrat e dikastereve përkatëse, me qëllim ushtrimin e presionit institucional për zbatim të ligjeve dhe rekomandimeve të Avokatit të Popullit.
Në mbyllje u theksua se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë ka mundësuar mbajtjen e shumë takimeve me komunitetet dhe adresimin e çështjeve përkatëse te institucionet kompetente.