Featured Image

Avokati i Popullit vizitoi Klinikën Psikiatrike të Fëmijëve dhe Adoleshentëve

10/10/2025
Prishtinë, 10 tetor 2025 – Me rastin e 10 Tetorit, Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, Avokati i Popullit bashkë me Zëvendësin z. Basri Kastrati, drejtoreshën e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT), znj. Shqipe Ibraj Mala dhe ekipin e saj, vizituan Psikiatrinë për Fëmijë dhe Adoleshent, i vetmi repart në kuadër të Klinikës së Psikiatrisë, i nivelit terciar i cili ofron shërbime ambulantore dhe hospitalizim për fëmijë dhe adoleshent.
Avokati theksoi rëndësinë e mbrojtjes dhe promovimit të shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve si një përgjegjësi themelore shtetërore dhe shoqërore. Fokus i diskutimit ishin: mungesa e kapaciteteve infrastrukturore e cila nuk e lejon ofrimin e shërbimeve të duhura për të gjitha kategoritë e çrregullime, e sidomos për rastet e fëmijëve përdorues të substancave narkotike, pastaj u theksua edhe nevoja e profilizimit të stafit dhe ndjekja e trajnimeve/programeve që i mundëson të profilizohet për menaxhim të simptomave të çrregullimeve të ndryshme, e sidomos për fëmijët përdorues të substancave narkotike.
Avokati i Popullit përmendi edhe disa nga konstatimet që janë dhënë në Raportin me rekomandime lidhur me Përgjegjësinë e shtetit në raport me shëndetin mendor të fëmijëve, i cili u publikua më 6 maj 2025, ku ka dhënë 169 rekomandime.
Këto rekomandime, ndër të tjera, përfshijnë mungesën e qendrave të shëndetit mendor për fëmijë në regjione të Kosovës, numrin e ulët të personelit shëndetësor në Psikiatrin e Fëmijëve dhe Adoleshentëve në raport me kërkesat, mbingarkesa e stafit, mungesa e mbështetjes për mjete të punës dhe trajnime të specializuara për stafin shëndetësor, si dhe kushtet fizike për shërbime spitalore, pengojnë në ofrimin e shërbimeve cilësore për fëmijë dhe adoleshentë.
Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, z. Faton Kutllovci falënderoi IAP-në për vëmendjen që ia dha këtij reparti, pikërisht në Ditën e Shëndetit Mendor si dhe përmendi se cilat rekomandime të IAP-së janë implementuar deri më tani, gjithashtu kërkoi mbështetjen e IAP-së që të organizojë takime edhe me mediat lidhur me rëndësinë e shëndetit mendor, ku sipas tij, mediat nuk duhet ti paraqesin detajet e rasteve të vetëvrasjeve, sepse kjo po ndikon negativisht në përgjithësi në popullatë.
Avokati i Popullit theksoi se shëndeti mendor i fëmijëve dhe adoleshentëve është themeli i një shoqërie të shëndetshme dhe kujdesi ndaj tyre është investim në të ardhmen e vendit.