Featured Image

Kosova bëhet pjesë e Bordit Ekzekutiv të Rrjetit Evropian të Trupave të Barazisë (EQUINET)

08/10/2025

Prishtinë, 8 tetor 2025 – Me nominim të Institucionit të Avokatit të Popullit, dhe me votim të fshehtë, Zëvendësi i Avokatit të Popullit, z. Niman Hajdari zgjedhet anëtar i Bordit Ekzekutiv të Rrjetit Evropian të Trupave të Barazisë (EQUINET).

Kjo përzgjedhje është bërë gjatë Mbledhjes së Përgjithshme Vjetore të Equinet, e mbajtur në Bruksel, ku përfaqësuesit e institucioneve anëtare votuan për përbërjen e re të Bordit Ekzekutiv, i cili do të udhëheqë punën strategjike të rrjetit gjatë dy viteve të ardhshme, 2025-2027.

Ky emërim përbën një njohje të rëndësishme të rolit aktiv, profesionalizmit dhe bashkëpunimit të avancuar ndërkombëtar të Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës, i cili në mënyrë të vazhdueshme ka kontribuar në punën e rrjeteve evropiane dhe në promovimin e standardeve të barazisë dhe të drejtave të njeriut në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

EQUINET është rrjeti udhëheqës evropian që bashkon 47 trupa të barazisë nga 36 shtete evropiane, të cilat punojnë për të promovuar barazinë, për të luftuar diskriminimin në të gjitha format e tij dhe për të forcuar zbatimin efektiv të të drejtave themelore të njeriut në Evropë.

Përmes bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave dhe mbështetjes së ndërsjellë, Equinet synon të fuqizojë rolin dhe ndikimin e institucioneve të barazisë në nivel kombëtar dhe evropian. Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës është anëtarë i këtij rrjeti që prej vitit 2019.