
U mbajt takimi i radhës me organizatat e shoqërisë civile
Prishtinë, 7 tetor 2025 – Avokati i Popullit mbajti takimin e 3-të për vitin 2025 me përfaqësuesit e organizatave anëtare të Forumit për dialog me shoqërinë civile.
Avokati i Popullit para të pranishmëve paraqiti aktivitetet e institucionit për periudhën prill – tetor 2025 sa i përket mbrojtjes, promovimit të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, aktivitete të cilat janë të parapara edhe në planin e veprimit të Forumit.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj fillimisht para të pranishmëve prezantoi veprimet e IAP-së që lidhen me çështjet dhe problematikat mjedisore si ndotja e ujërave dhe e ajrit, siguria në hapësirat publike, çështjet e legalizimeve që ndërlidhen me kualitetin e ndërtimeve dhe që prekin të drejtat e njeriut.
Fokus të veçantë AP, i kushtoi sfidave të funksionimit të mekanizmave për trajtimin e shëndetit mendor. Në këtë drejtim, ai njoftoi të pranishmit se do ta trajtoj me seriozitet çeshtjen e ngritur nga anëtaret e Forumit, lidhur me mungesën e mbulimit dhe mbështetjes institucionale të personave të prekur nga alzheimeri dhe demenca.
Sa i përket të drejtave të fëmijëve, Avokati i Popullit theksoi shqetësimin e tij dhe veprimet e ndërmarra nga IAP lidhur me mungesën e masave parandaluese për trajtimin e fëmijëve me probleme të shëndetit mendor, mangësitë institucionale për identifikimin e hershëm të çrregullimeve të kësaj natyre te fëmijët, mungesën e shtretërve për fëmijë në repartin psikiatrik, etj. Në vazhdim lidhur me të drejtat e fëmijëve, ai njoftoi të pranishmit lidhur me publikimin e Raporteve me rekomandime sa i përket peshës së çantave të fëmijëve, dhunën në shkolla, përfshirjen në arsim të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe shtesat për fëmijët e komunitet serb.
Avokati i Popullit po ashtu theksoi se sa i përket lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes ka organizuar një takim me gazetarë, përshirë edhe Komisionin e Pavarur të Mediave dhe u diskutua për gjendjen e lirisë së mediave në vend, sfidat dhe problemet me të cilat përballen gazetarët, renditja negative e Kosovës në indeksin e Reporterëve pa Kufij, mbrojtja ligjore e gazetarëve, mbrojtja e të dhënave personale dhe sfidat në trupat vetërregulluese të mediave.
Anëtarët e Forumit në takim ngritën shqetësimet e tyre lidhur me diskursin e gjuhës dhe sulmet e disa personave në media dhe rrjete sociale ndaj organizatave të shoqërisë civile, dhe reagimet e dobëta të mekanizmave mbikëqyrëse të mediave. Ata po ashtu theksuan se mungojnë diskutimet për aspektin social dhe ekonomik në debatet dhe prezantimet në media të kandidatëve për kryetar të komunave. Tema tjera që u ngritën përfshijnë: problematikat lidhur me të drejtat e personave me aftësi të kufizuar; mos publikimi i vendimeve që lidhen me dhunën në familje nga gjykatat; mosrritjen e numrit të punëtorëve social; problemet që kanë derivuar pas integrimit të Ministrisë së punës dhe mirëqenies sociale me Ministrinë e Financave dhe ndikimi në të drejtat e njeriut; nevojën për ndërgjegjësim për dhunën në familje dhe atë në bazë gjinore; sfidat pronësore të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian; vendbanimet joformale, etj.
Të pranishmit njoftuan Avokatin e Popullit lidhur me veprimet, hulumtimet, aktivitetet, raportet e tyre të ndryshme qe lidhen me çështjet që u diskutuan në takim e që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.
Anëtarët e forumit u dakorduan që të marrin pjesë në takimet e ftuara nga Avokati i Popoullit me rastin e publikimit të Raporteve me rekomandime, si dhe të organizojnë aktivitete të përbashkëta.