
Avokati i Popullit takoi partnerët ndërkombëtarë për nder të 25 vjetorit të themelimit të IAP-së
Prishtinë, 1 tetor 2025 – Avokati i Popullit mblodhi të mërkurën Ambasadorë dhe përfaqësues të agjencive dhe organizatave ndërkombëtare duke shprehur mirënjohje për bashkëpunimin ndër vite, e në veçanti ato me të cilat Institucioni i Avokatit të Popullit ka qenë i angazhuar në projekte.
Ky bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë theksohet të jetë që nga themelimi i Institucionit të Avokatit të Popullit që nga viti 2000, e cila sivjet shënon 25 vjetorin e themelimit të IAP-së. Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se kjo mbështetje dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tej duke qenë i bindur se është në interes që vendi këtë partneritet ta ruajë dhe ta fuqizojë në drejtim të avancimit edhe më tej të respektimit të të drejtave të njeriut.
Z. Qelaj tha se gjatë këtyre viteve IAP ka pranuar me dhjetëra mijëra qytetarë që kanë parashtruar ankesa duke kërkuar respektimin e të drejtave të tyre. Ai shtoi se për dhjetë vitet e fundit, IAP ka nxjerrë më shumë se 2 mijë rekomandime për autoritetet publike.
Avokati i Popullit tha se së fundmi vendi po përballet me një sfidë të madhe me mungesën e vullnetit politik për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e qeverisë dhe institucioneve të tjera. Ai shtoi se viteve të fundit ka parë një tendencë për të goditur institucionet e pavarura dhe mediumet.
Avokati i Popullit po ashtu tha se shqetësuese mbetet mos anëtarësimi I Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe se në të ardhmen beson se do të angazhohen të gjithë akterët, dhe me mbështetje ndërkombëtare, që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë të rëndësishme.
Z. Qelaj në fund falënderoi të pranishmit duke kërkuar vazhdimin e bashkëpunimit për rritjen e vetëdijesimit për respektimin e rekomandimeve dhe qëndrimeve të Avokatit të Popullit nga autoritetet publike, si dhe ngritjen e vetëdijesimit të autoriteteve për të garantuar një terren të përshtatshëm pune për Avokatin e Popullit.
Në këtë tryezë mori pjesë edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Aivo Orav, i cili tha se Institucioni i Avokatit të Popullit shënon arritje të mëdha në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut dhe barazisë në Kosovë. Ai shtoi se ruajtja e pavarësisë së institucionit të Avokatit të Popullit do të thotë rritje e besimit të publikut.
Në këtë takim morën pjesë edhe shefi i EULEX-it, z. Pietro Barbano, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, z. Gerard McGurk, shefja e zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, znj. Mary-Ann Hennessey dhe përfaqësues të organizatave tjera ndërkombëtare. Ata vlerësuan lartë punën dhe rolin e Avokatit të Popullit në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut si një mekanizëm i rëndësishëm për funksionimin e demokracisë në vend.
Pjesëmarrësit po ashtu theksuan se pavarësia e Institucionit të Avokatit të Popullit është e një rëndësie të veçantë dhe u zotuan për bashkëpunim në të ardhmen.