Featured Image

Avokati i Popullit mori pjesë në konferencën e organeve të barazisë nga Evropa Juglindore

25/09/2025

Prishtinë, 24 shtator 2025 – Avokati i Popullit, Naim Qelaj mori pjesë në Konferencën e 9-të Rajonale të Organeve të Barazisë nga Evropa Juglindore, e cila u mbajt më 22 dhe 23 shtator në Split, Kroaci.

Konferenca, e organizuar nga Avokatja e Popullit të Kroacisë, kishte si temë bashkëpunimin ndërmjet organeve të barazisë dhe organizatave të shoqërisë civile.

Avokati i Popullit ishte pjesë e panelit me fokus në praktikat e mira dhe mundësitë për thellimin e këtij bashkëpunimi në rajon. Në fjalën e tij, ai falënderoi nikoqiren, kolegët dhe të pranishmit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së një dialogu të hapur dhe të vazhdueshëm me organizatat e shoqërisë civile.

Ai rikujtoi se në vitin 2022 u themelua Forumi i Dialogut të Avokatit të Popullit me shoqërinë civile, i cili funksionon mbi bazën e një dokumenti strategjik dhe plani veprimi, që monitorohet çdo tre muaj dhe rishikohet çdo vit. Ky forum ka mundësuar adresimin e temave me interes të përbashkët, ka afruar institucionin me qytetarët dhe grupet e cenueshme, si dhe ka siguruar trajtimin në kohë të çështjeve aktuale.

Në vijim, Avokati i Popullit theksoi se ky bashkëpunim ka kontribuar në unifikimin e qëndrimeve duke ruajtur pavarësinë institucionale, në përfshirjen e shqetësimeve të shoqërisë civile në rekomandimet e tij, si dhe në identifikimin më të shpejtë të shkeljeve sistemike.

Megjithatë, ai vuri në pah edhe sfidat e këtij procesi, përfshirë nevojën për të ruajtur ekuilibrin mes pavarësisë institucionale dhe koordinimit me shoqërinë civile, si dhe përballjen me numrin e madh të kërkesave nga organizatat që dëshirojnë të jenë pjesë e rrjetit.

Avokati i Popullit theksoi se organizatat e shoqërisë civile aktualisht po përballen me mungesë të financimit për projektet e tyre, gjë që mund të rrezikojë funksionimin e tyre dhe të dobësojë mbrojtjen nga ndikimet e jashtme, si dhe nga kërcënimet që shpesh u drejtohen mbrojtësve të të drejtave të njeriut.

Avokati i Popullit falënderoi për mundësinë e pjesëmarrjes dhe propozoi që Konferenca e 10-të e këtij Rrjeti të mbahet në Kosovë, duke e cilësuar këtë si një mundësi të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe promovimin e barazisë në gjithë rajonin e Evropës Juglindore.