
Avokati i Popullit mori pjesë në publikimin e raportit të ZKA-së për dhunën në familje
Prishtinë, 13 shtator 2023 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj mori pjesë në publikimin e raportit të Auditimit të performancës “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”, publikuar nga Zyra Kombëtare të Auditimit (ZKA), me ndihmë teknike nga UN Women Kosovo.
Raporti është fokusuar në procesin e trajtimit të rasteve të dhunës në familjes, që nga momenti i raportimit në polici e deri tek përcjellja e rasteve në gjykata. Raporti është fokusuar në regjionin e Prishtinës dhe të Pejës, për shkak se këto dy regjione kanë numrin më të madh të rasteve të raportuara të dhunës, dhe përfshin periudhën 2020-2022.
Raporti ka gjetur se edhe pse institucionet përgjegjëse publike kanë ndërmarrë veprime për trajtimin e rasteve të dhunës në familje por nuk janë arritur rezultate të kënaqshme për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave.
Raporti thekson se sistemi shtetëror ka mangësi në angazhimin e hetuesve primar, përfshirje të mbrojtësve të viktimave, shqyrtim të rasteve me kohë nga organet e drejtësisë, si dhe regjistrim të rasteve të raportuara. Po ashtu, është gjetur se viktimat e dhunës në familje nuk kanë përkrahje sociale, e në veçanti mungon përkrahja e tyre në aspektin ekonomik.
Po ashtu, raporti nënvizon se ka mangësi në angazhimin adekuat të burimeve njerëzore, në procedurat e monitorimit dhe në mbështetjen e viktimave gjatë rehabilitimit. Një çështje tjetër shqetësuese është theksuar edhe në vonesat e trajtimit të rasteve të dhunës në familje nga ana e gjykatave, të cilat në bazë të statistikave të ofruara del se një rast i tillë merr kohë më shumë se një vit për t’u trajtuar nga gjykatat e vendit.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se përkundër përpjekjeve shumë vjeçare të institucioneve, përkundër angazhimit dhe masave të ndërmarra, rastet e dhunës në familje janë shtuar. Ai tha se shtimi i rasteve mund të merret edhe si rezultat i vetëdijesimit dhe raportimit të rasteve, por kjo nuk e eviton faktin se dhuna në familje është shumë prezente në shoqërinë tonë. Ai theksoi se kjo shton nevojën që institucionet, dhe në përgjithësi si shoqëri, të reagojmë dhe të marrim të gjitha masat për të luftuar këtë dukuri.
“Nëse i referohem atyre rekomandimeve dhe gjetjeve që kanë dal nga raporti i auditimit të performancës nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe atyre që ne i kemi adresuar tek institucionet viteve të fundit, mund të them se e para që duhet të përmendet në këtë rast është fuqizimi i mekanizmave të raportimit, të llogaridhënies dhe përgjegjësisë,“ tha z. Qelaj.
Në vitin 2020 janë raportuar 2,069 raste të dhunë në familje. Në vitin 2021, janë raportuar 2,456 raste dhe në vitin 2022 janë raportuar 2,759 raste të dhunës në familje.
Raportin përmbledhës e prezantoi Auditorja e Përgjithshme, znj. Vlora Spanca. Në këtë tryezë mori pjesë edhe ministrja e drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu.