
Avokati i Popullit vizitoi komunën e Leposaviqit
10/07/2025
Prishtinë, 10 korrik 2025 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj me bashkëpunëtorë vizituan të enjten fshatin Leshak të Leposaviqit dhe takoi banorët e atjeshëm të cilët paraqitën ankesat e tyre në lidhje me njoftimin nga autoritetet komunale për lirimin e pronës publike në të cilën janë të ndërtuara 12 shtëpi.
Shtëpitë gjenden në pronën e Ministrisë së Punëve të Brendshme ku së fundmi është ndërtuar stacioni policor. Banorët u këshilluan që të shfrytëzojnë të gjitha mjetet ligjore ndërsa Avokati i Popullit tha se do të përcjell këtë çështje duke shtuar që autoritetet po ashtu duhen të shikojnë interesin e përgjithshëm të familjeve të prekura.
Pas këtij takimi, Avokati i Popullit takoi përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarë të Leposaviqit me të cilët diskutoi për qëllimin e vizitës dhe i dëgjoi ankesat e tyre.
Pjesëmarrësit theksuan disa nga problemet që ata hasin si vështirësitë që kanë për pajisje me dokumente personale, çështja e personave të zhvendosur, si dhe çështja e energjisë elektrike ku disa qytetarë nuk janë duke paguar për shkak të faturave, siç thanë padrejtësisht të larta.
Avokati i Popullit u tha se disa nga këto ankesa i ka pranuar nga qytetarët dhe është duke punuar në këto raste. Ai po ashtu theksoi se Institucioni i Avokatit të Popullit do të mbajë ditë të hapura në komunat veriore për të qenë më afër qytetarëve për t’i dëgjuar për problemet dhe sfidat e tyre.
Megjithatë ai kërkoi nga banorët që të vazhdojnë t’i paraqesin ankesat e tyre tek Institucioni i Avokatit të Popullit dhe u tregoi se ai do të merr veprime për t’i shqyrtuar të gjitha ankesat.
Në fund të vizitës, Avokati i Popullit takoi edhe kryetarin e Komunës së Leposaviqit, z. Lulzim Hetemi me të cilin diskutoi për takimet me qytetarët dhe ankesat e parashtruara nga ata.



