
Avokati i Popullit diskutoi për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Graçanicë
Prishtinë, 27 maj 2025 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët ku u diskutuan të drejtat e njeriut me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që punojnë me persona me aftësi të kufizuara nga komuniteti serb.
Avokati i Popullit njoftoi të pranishmit për mandatin dhe kompetencat e tij dhe theksoi se takimet e tilla me qytetarë dhe organizata të shoqërisë civile ofrojnë mundësi për të vepruar dhe ndërmarrë masa në lidhje me çështjet që dalin nga këto tryeza.
Avokati i Popullit foli për disa raporte që ka nxjerr e që kanë të bëjnë me personat me aftësi të kufizuara, siç është rasti me qasjen në hapësirat publike dhe gjendjen jo të mirë në terren, sfidat në arsim dhe riaftësim të personave me aftësi të kufizuara, dhe punësimi i tyre në institucionet publike e që nuk është në nivelin e duhur siç e kërkon edhe ligji.
Në këtë diskutim u ngritën disa çështje duke filluar nga problemet që hasin personat me aftësi të kufizuara në realizimin e të drejtave të tyre si shkak mungesa e shërbimeve që janë ofruar deri para disa kohe nga Republika e Serbisë.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkuan pjesëmarrje në Këshillin Nacional mbi Aftësitë e Kufizuar ku sipas të pranishmëve nuk ka përfaqësues të komunitetit serb de komuniteteve tjera, dhe si rrjedhojë nuk kanë qenë të përfshirë në përpilimin e Strategjisë për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.
Shqetësimet tjera të ngritura përfshinë problemin në harmonizimin e dispozitave ligjore në aspektin gjuhësor duke theksuar përfshirjen e gabimeve në përkthime të cilat ndryshojnë në thelb të drejtat që ato ligje rregullojnë, mungesa e asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuar si dhe raste të mosnjohjes së asistencës sociale.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkuan nga Avokati i Popullit që të vazhdojë të jetë i pranishëm në tryeza të tilla por edhe duke kontaktuar sa më shumë me qytetarë në terren.
Në këtë tryezë kontribuoi edhe drejtori ekzekutiv i Handikos, z. Afrim Maliqi.
Ky aktivitet u organizua nga OJQ “ACDC” nga Mitrovica e Veriut.