
Avokati i Popullit takoi kryeshefin e kompanisë “Pastrimi”, mungon kryetari i Komunës së Prishtinës
Prishtinë, 19 maj 2025 – Duke e parë situatën e krijuar së fundmi në Komunën e Prishtinës lidhur me menaxhimin e mbeturinave, si dhe rrezikun real që kjo paraqet për sigurinë dhe shëndetin publik të qytetarëve, Avokati i Popullit u ka bërë ftesë për një takim të përbashkët Kryetarit të Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama dhe menaxhmentit të kompanisë “Pastrimi.
Qëllimi i takimit ishte që Avokati i Popullit të dëgjoj nga palët dhe të kuptoj më shumë se sa po cenohen të drejtat e qytetarëve nga problematika që është krijuar në mes palëve sa i përket menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet.
Në minutat e fundit, përfaqësuesit nga komuna kanë lajmëruar që nuk mund të marrin pjesë në takim, duke dhënë arsye që për Avokati i Popullit nuk qëndrojnë. Qëndrimin e tillë Avokati i Popullit e konsideron si mosrespektim të këtij institucioni dhe kjo tregon papërgjegjësi të plotë të përfaqësuesve të komunës në raport me interesin dhe hallet që i kanë qytetarët e Prishtinë si dhe më shumë se 800 punëtorë të kësaj kompanie.
Në këtë takim, Kryeshefi ekzekutiv i KRM “Pastrimi” z. Petrit Reçica paraqiti argumentet dhe dorëzoi materiale dhe prova të mjaftueshme që tregojnë se ekziston një rregullore në fuqi, e aprovuar nga Kuvendi i komunës se Prishtinës, të cilën komuna nuk po e zbaton dhe si rezultat i moszbatimit të kësaj rregulloreje, ka ardhur deri tek situata e krijuar kur kompania “Pastrimi” është në prag të falimentimit.
Marrë parasysh shumë probleme qe u paraqitën nga menaxhmenti i KRM “Pastrimi (pamundësia e pagesës së pagave për punëtorët, mungesa e furnizimit të kamionëve me karburant, etj.) për të cilat në këtë fazë të hetimit Avokati i Popullit nuk do të lëshohet, dhe në pritje dëgjimit edhe të palës tjetër, e në këtë rast Komunës së Prishtinës, n mënyrë që më pastaj Avokati i Popullit të del me një qëndrim përfundimtar.
E pashmangshme në këtë situatë është dëmi që po i shkaktohet të punësuarve dhe qytetarëve të komunës duke rrezikuar qytetin nga përhapja e ndonjë epidemie dhe rrezikimit të shëndetit publik.
Avokati i Popullit rikujton se është përgjegjësi në radhë të parë e Komunës së Prishtinës që të gjejë zgjidhje për të dal nga kjo situatë, dhe po ashtu ka obligim që t’u ofrojë qytetarëve shërbime cilësore dhe me kohë.
Avokati i Popullit, në ditët në vijim do të bëjë përpjekje edhe njëherë të takojë kryetarin e Komunës me qëllim të sqarimit të krejt kësaj situate, duke tentuar që të ndërmerr edhe rolin e ndërmjetësuesit me qëllim të zgjidhjes së këtij problemi.