Featured Image

Avokati i Popullit prezantoi raportin për nivelin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi

28/01/2025

Prishtinë, 28 janar 2024 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj së bashku me departamentin për mbrojtje nga diskriminimi organizuan një tryezë dhe paraqiten të gjeturat e “Raportit vjetor 2023 për zbatimin e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi”.

Avokati i Popullit tha se sfida kryesore në mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi është mungesa e të dhënave institucionale për rastet e raportuara të diskriminimit. Ai tha se nevojitet forcimi urgjent i kapaciteteve institucionale, trajnimi i zyrtarëve dhe përmirësimi i transparencës në mënyrë që ligji të zbatohet në praktikë.

Avokati i Popullit shtoi se bashkëpunimi institucional është vendimtar, jo vetëm si obligim kushtetues, por edhe si parakusht themelor për luftimin efektiv të diskriminimit dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Ai shtoi se raporti po ashtu ka identifikuar zbrazëtirat aktuale dhe aspekteve kritike që duhet të adresohen për të mundësuar mbikëqyrje efektive të zbatimit të ligjit nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

Znj. Eva Palatov, zëvendës shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë, theksoi se BE ka ndërmarrë shumë hapa për të siguruar që mbrojtja kundër diskriminimit të funksionojë. Ajo shtoi se është e nevojshme të përfshihen të gjithë në bashkëpunim në rrugën drejt integrimit në BE.

Shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, znj. Mary Ann Hennessey theksoi se ky raport paraqet një hap të rëndësishëm në luftën kundër diskriminimit dhe kontribuon në integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Ajo shtoi se ky raport besohet se ka hedhur një bazë të fortë dhe ka dhënë rekomandime për përmirësimin e ligjit dhe zbatimin e tij.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Albert Zogaj mirëpriti raportin në fjalë duke theksuar se raporti ka identifikuar përgjegjësitë e secilit institucion për të zbatuar ligjin kundër diskriminimit, përfshirë edhe gjykatat të cilat kanë peshë të rëndësishme.

Raporti thekson disa probleme kryesore, përfshirë:

  • Vetëdijen e ulët institucionale për domosdoshmërinë e mbledhjes së të dhënave dhe evidentimit të rasteve të diskriminimit;
  • Mungesën e disa nga hallkat themelore të sistemit të përgjithshëm të parandalimit dhe mbrojtjes kundër diskriminimit;
  • Mungesën e zbatimit të procedurave kundërvajtëse për rastet e diskriminimit;
  • Zbatimin e mangët të Ligjit nga gjykatat.

Duhet theksuar se mungesa e dëshmive institucionale për shkeljet e Ligjit nuk pasqyron domosdoshmërisht gjendjen reale, pasi raportimet dhe ankesat për diskriminim në sektorin publik dhe privat mbeten të shpeshta.

Raporti përfshin gjashtë rekomandime konkrete dhe praktike, të cilat synojnë përmirësimin e zbatimit të ligjit dhe garantimin e një mbrojtjeje më efektive ndaj diskriminimit.

Ky raport është mbështetur me përkrahje nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë.