Featured Image

IAP organizoi tryezë për të drejtat gjuhësore

10/12/2024
Prishtinë, Avokati i Popullit, në bashkëpunim me Zyrën e Komisionerit për Gjuhët dhe IOM, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, organizoi tryezën “Të drejtat gjuhësore: Rrugë drejt të drejtave themelore të njeriut”, ku u diskutua për të drejtat gjuhësore si të drejta themelore të njeriut.
Në këtë takim u diskutua për rëndësinë jetike të të drejtave gjuhësore në promovimin e përfshirjes, diversitetit dhe barazisë, si dhe ndikimi i tyre në të drejtat themelore të njeriut.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se dita ndërkombëtare e të drejtave të njeriut është ditë e rëndësishme për secilin qytetarë në botë. Ai ndërlidhi rëndësinë e barazisë gjuhësore si një e drejtë e veçantë e çdo njeriu në botë.
Përkundër përparimit që është shënuar në të drejtën gjuhësore, Avokati i Popullit theksoi se ligji për gjuhët nuk është në zbatim të plotë dhe se kërkohet angazhimi i faktorit njerëzor, vullnetit politik dhe institucional që secili ligj duhet të përcillet me mekanizma për të përcjell zbatimin e tyre.
Komisioneri për gjuhët, z. Slavisa Mladenovic tha se në këtë ditë duhet të përkujtohen parimet themelore të drejtave të njeriut për të arritur sukses në respektimin e gjuhëve zyrtare në Kosovë. Ai shtoi se duhet të sigurohet barazia në terren dhe të sigurohet qasje për institucionet publike të jenë në gjendje të ofrojnë shërbime në të gjitha gjuhët zyrtare.
Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP), znj. Caroline Ziadeh tha se në këtë ditë qytetarët duhet të reflektojnë për dinjitetin dhe barazinë e të drejtave të njeriut. Ajo theksoi se dinjiteti dhe barazia janë shtyllat e të drejtave të njeriut. Ajo shtoi se këto të drejta formojnë shoqërinë tonë dhë kësisoj krijojnë partneritet dhe mund të kuptojmë të tjerët më mirë.
Shefja e Misionit të IOM-it në Kosovë, znj. Anna Rostocka tha se pa marrë parasysh se nga vijmë apo kush jemi, ekziston një mjedis në zbatimin e të drejtave tona në praktikë. Ajo shtoi se mësimi i gjuhëve zyrtare është në rritje, se si të rinjtë duan të mësojnë gjuhët tjera dhe ky është një përparim.
Ky aktivitet organizohet në koordinim dhe mbështetje me Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM) dhe mbështetet nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), si dhe nga Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut (OHCHR). Ky takim është pjesë e nismës mbështetëse të aktivitetit programor të titulluar “Përparimi dhe promovimi i të drejtave gjuhësore – Faza 2”.