Komunikate për publikun lidhur me Raportin me Rekomandime ex officio tekstet shkollore

23/09/2024

Prishtinë, 15 gusht 2024 – Avokati i Popullit ka publikuar Raportin me Rekomandime ex officio nr. 636/2023 Përfshirja e standardeve të zbatueshme të fushës së të drejtave të njeriut në tekstet shkollore të arsimit të mesëm të lartë në Kosovë.

Ky raport ka vlerësuar nivelin e përfshirjes së standardeve në fushën e të drejtave të njeriut në 19 tekste shkollore të klasës 10, 11 dhe 12 të të gjitha drejtimeve të shkollave të mesme, si për gjimnaze shoqërore-gjuhësore ashtu edhe për gjimnaze natyrore. Duke qenë se qëllimi i raportit është i fokusuar ekskluzivisht në fushën e të drejtave të njeriut, rrjedhimisht hetimi është zhvilluar për tekstet e lëndëve shkollore nga shkencat shoqërore dhe fushat humane në përgjithësi, të tilla si lënda për gjuhën amtare, për letërsinë, për historinë, për filozofinë, logjikën, psikologjinë, sociologjinë dhe edukatën qytetare.

Avokati i Popullit me këtë raport ka konstatuar se në përgjithësi, trajtimi i të drejtave të njeriut në këto tekste shkollore është i kënaqshëm, por ka ende hapësirë për përmirësim. Tekstet mësimore të lëndës Gjuhë Shqipe dhe ato të lëndës Letërsi, për klasat 10, 11 dhe 12, nuk kanë përmbajtje që specifikisht do të ishte problematike në raport me fushën e të drejtave të njeriut. Ndërsa, tek tekstet e lëndëve si Edukatë Qytetare, Histori, Sociologji dhe Psikologji problemet kryesore të identifikuara janë dy: së pari, përdorimi jo i njëjtë dhe jo i saktë i terminologjisë së fushës së të drejtave të njeriut në tekste të ndryshme. Së dyti, mungesa e shembujve konkretë dhe të detajuar për shkelje dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut. Këto probleme sugjerojnë nevojën për një harmonizim më të madh të terminologjisë dhe për një trajtim më të thellë dhe ilustrues të temës së të drejtave të njeriut në tekstet shkollore.

Andaj, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) të unifikojë gjuhën terminologjike, përkatësisht përdorimin e termeve dhe koncepteve kyçe me të cilat operohet në fjalorët e sociologjisë, psikologjisë dhe edukatës qytetare, në raport me fushën e të drejtave të njeriut. Gjithashtu, të shtjellohen sa më qartë, me shembuj dhe shpjegime shtesë edhe në formë fjalorthësh specifikë me fjalë të reja për nxënësit, si dhe të përshtaten shembujt me kontekstet sociale dhe kulturore të shoqërisë në Kosovë, ashtu që fenomenet dhe termet të jenë të qarta, të kuptueshme për nxënësit. Për fund, Avokati i Popullit i ka rekomanduar MASHTI-t që në kurrikulën për tekstin e lëndës së historisë për klasën e 12-të, ku janë përfshirë mësime nga historia moderne dhe bashkëkohore, të përcaktohen njësi të veçanta mësimore për historinë e të drejtave të njeriut; për lëvizjet shoqërore të sindikatave që kanë avokuar për të drejtat e punëtorëve; për valët e feminizmit që janë angazhuar për të drejtat e grave dhe për barazi gjinore; për konventat ndërkombëtare, rezolutat dhe dokumentet e tjera relevante për të drejtat e njeriut.

Ky raport është vazhdimësi e Raportit ex-officio nr. 147/2021, gjuha e urrejtjes në tekstet shkollore të ciklit të ulët në Kosovë të publikuar në vitin 2023. Në këtë raport Avokati i Popullit kishte shqyrtuar 47 tekste shkollore nga klasa e parë deri në të nëntën nëse përmbushin standardet ndërkombëtare dhe evropiane për adresimin e gjuhës së urrejtjes.

Lexoni raportin e plotë -> https://bit.ly/3yTDIug