Avokati i Popullit diskutoi për mbrojtjen e fëmijëve në media
Prishtinë, 1 korrik 2024 – Të hënën, Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, mori pjesë në tryezën me titull “Mbrojtja e fëmijëve në media”, e cila u organizua nga Komisioni i Pavarur i Mediave.
Në këtë tryezë, e cila kishte për qëllim diskutimin mbi ekspozimin e fëmijëve në media, Avokati i Popullit ngriti shqetësimin e tij për numrin e vogël të ankesave nga ana e fëmijëve, lidhur me të drejtat e tyre. Z. Qelaj tha se nga 100 ankesat që kanë pranuar, asnjë nuk lidhet më cenimin e dinjitetit dhe privatësisë së fëmijëve, e që sipas tij ndonëse ankesa nuk ka, shkeljet ekzistojnë.
Sipas tij, institucionet duhet të bëjnë më shumë në ngritjen e vetëdijes shoqërore lidhur me respektimin e së drejtës së fëmijëve për dinjitet dhe për pavarësi, sidomos në rastet kur ata ekspozohen në media.
“Ne kemi adresua rekomandime autoriteteve me raport të veçantë ku kemi fol për zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijës dhe nxjerrjen e akteve të veçanta. Janë shumë autoritete që nuk i kanë nxjerrë këto rregullore edhe kur kanë kaluar pesë vite dhe sot një numër i madh nuk i kanë nxjerre këto rregullore, duke e bërë ligjin të pazbatueshëm”, shtoi ai.
Avokati i Popullit shtoi se Institucioni që ai drejton, çdo vit, organizon konferenca e takime me fëmijë nëpër shkolla, me qëllim të vetëdijesimit dhe informimit të fëmijëve për mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe të drejtës për ankesë. Po ashtu, në vitin 2019, IAP ka nxjerrë një rregullore që ka të bëjë për ankesa me qasje të përshtatshme për fëmijë.