Featured Image

Avokati i Popullit takoi udhëheqësit dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare në Kosovë

23/09/2024

Prishtinë, 27 qershor 2024 – Avokati i Popullit, Naim Qelaj priti në takim udhëheqësit dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare në vend me të cilët bisedoi për gjendjen e të drejtave të njeriut dhe nevojën për koordinim të aktiviteteve me qëllim të avancimit të DNJ dhe lirive në Kosovë.

Z. Qelaj theksoi se bazuar në rastet e hetuara, qytetarët vazhdojnë të përballen me zvarritjet të tejzgjatura të procedurave gjyqësore dhe mospërgjigje në kërkesat nga autoritetet publike.

Më tej ai theksoi se mungesa e dialogut social, mosfunksionalizimi i mekanizmave ligjor që mundësojnë këtë dialog, si dhe mungesë e arritjes së kontratës së përgjithshme kolektive – cenojnë, kufizojnë dhe vështirësojnë realizimin e të drejtave të punëtorëve.

Sa i përket barazisë gjinore, z. Qelaj nënvizoi se nga të dhënat e Policisë së Kosovës, tregojnë për një rritje të rasteve të raportuar të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, që vazhdon të mbetet shqetësim dhe duhet të punohet shumë që përmes edukimit të hershëm dhe masave tjera të parandalohen këto raste, duke përfshirë edhe fuqizimin e pozitës së gruas, pavarësinë e saj ekonomike dhe të drejtën në pronë.

Ai shtoi se reformat për sundimin e ligjit dhe sistemit të drejtësisë nuk po vazhdojnë të jenë si rezultat i një diskutimi racional dhe të bazuar në analizat e shumta që janë kryer në këtë sektor. “Vërehen veprime të njëanshme që mund të konsiderohen edhe si tendenca të ndërhyrjes dhe cenimit të pavarësisë së institucioneve të pavarura kushtetuese dhe ndërhyrje në sistemet e ndara të pushtetit”, tha z. Qelaj.

Ai tha se votimi kundër Raportit të Avokatit të Popullit për vitin 2022, nga ana e Kuvendit të Kosovës në seancën e mbajtur më 23 maj 2024, është përdorur si mjet për të sulmuar pavarësinë e IAP-së. Ai shtoi se ky votim kundër nuk ka ardhur si rezultat i ndonjë paqartësie, vërejtje, kritike, mangësie apo çfarëdo çështje që ka pas mundësi të ngritët për diskutim.

“Përkundrazi, ka pasur konsensus në komisionin parlamentar për të drejtat e njeriut i cili me vota unanime i ka rekomanduar Kuvendit miratimi e raportit. Të njëjtit deputetë, në seancës e datës 23 maj, kanë votuar kundër raportit, gjersa disa nuk kanë qëndruar në sallën e kuvendit,” tha ai.

Tutje z. Qelaj theksoi se me mos anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, më së shumti ka dëmtuar qytetarët, dhe beson se duhet një koordinim dhe bashkëpunim i gjithë akterëve që në të ardhme ky proces të jetë në favor të anëtarësimit.

Për të drejtat e komuniteteve jo-shumicë theksoi se ushtrimi i të drejtave është në vullnetin e subjektit që i gëzon këto të drejta, por kur ka refuzim kolektiv siç po ndodh aktualisht nga pjesëtarët e komunitetit serb me braktisjen e institucioneve, del nevojë urgjente vendosja e dialogut dhe komunikimi me qytetarët për të arritur një balancë dhe tejkalim të situatave të tilla.

Udhëheqësit dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare theksuan rëndësinë e pavarësisë së institucioneve të pavarura, të cilat duhen lirshëm të ushtrojnë mandatin e tyre dhe të punojnë pa ndërhyrje në punën e tyre.

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, z. Tomas Szunyog tha se kjo zyrë do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Institucionin e Avokatit të Popullit, duke mbështetur pavarësinë dhe aktivitetet e IAP-së.

Po ashtu, shefi i EULEX-it, z. Giovanni Pietro Barbano, tha se misioni do të mbështes punën dhe aktivitetet e Avokatit të Popullit që kanë të bëjnë me përmirësimin e të drejtave të njeriut, si dhe në fushën e drejtësisë dhe të sundimit të ligjit.

Tankut Soykan, zëvendësshef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, përmendi projektet e kaluara dhe të tanishmet që po bëhen me IAP, dhe do të vazhdojnë të përkrahin institucionin në projektin kundër diskriminimit.

Strategjia e rishikuar 2021-2025 dhe plani i veprimit 2024-2025 u prezantua nga zëvendës Avokati i Popullit, znj. Anita Çavdarbasha Korenica, me qëllim të koordinimit të aktiviteteve por edhe të parandalimit të dyfishimit të projekteve.

Pjesëmarrësit dhanë komentet e tyre për projektet aktuale që kanë. Nga kjo tryezë u konkludua për një takim të radhës për të shqyrtuar më në detaje aktivitetet dhe punët.