Deklarata e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Torturës
Prishtinë, 26 qershor 2024 – Avokati i Popullit edhe këtë vit në shënim të ditës ndërkombëtare kundër torturës, rithekson rëndësinë që ka përmbushja e detyrimeve që ka shteti për të marrë masa efektive legjislative, administrative, gjyqësore dhe masa të tjera për të parandaluar çdo formë të ushtrimit të torturës, siç përcaktohet në konventën kundër torturës dhe trajtimeve a dënimeve të tjera mizore, çnjerëzore ose poshtëruese, e cila ka hy në fuqi pikërisht me 26 qershor 1987.
Avokati i Popullit në ushtrim të mandatit si Mekanizëm Kombëtar për Parandalimin e Torturës, ka vazhduar monitorimin dhe mbikëqyrjen përmes vizitave të rregullta dhe pa paralajmërim, të gjitha vendet ku mbahen personat e privuar nga liria. Kjo me qëllim që të kujdeset se nuk do të ketë asnjë rast të ushtrimit të torturës apo trajtimit çnjerëzor e poshtërues.
Nga monitorimi i vazhdueshme është vlerësuar përmirësimi i kushteve dhe standardeve sa i përket personave të privuar nga liria, duke vlerësuar trajtimin dhe mbrojtjen e të dënuarve dhe të paraburgosurve, kushtet materiale dhe kushtet e jetesës, regjimin dhe aktivitetet, kontaktin me botën e jashtme dhe trajtimin shëndetësor.
Është monitoruar edhe vendosja e kontrollit në rastet e konflikteve eventuale në mes të dënuarve apo të të paraburgosurve, ndalimin e keqtrajtimin psikik dhe fizik, si dhe të gjitha aspektet e tjera, që ndërlidhen me trajtimin me dinjitet dhe në respektim të drejtës që ka secili person I privuar nga liria.
Megjithatë, nuk është situatë e njëjtë në të gjitha këto qendra, disa nga qendrat e paraburgimit nuk plotësojnë kushtet dhe standardet për shkak të vjetërsisë së objekteve, prandaj janë adresuar rekomandime që këto qendra të mbyllën( qendra e paraburgimit në Pejë dhe Prizren).
Avokati i Popullit rëndësi të veçantë i ka dhënë mbikëqyrjes së respektimit të të drejtave të personave me çrregullime mendore në mjediset e shërbimit të shëndetit mendor. Me këtë rast rithekson shqetësimin e tij lidhur me procedurat e ndalimit të personave me çrregullim mendor për trajtim të pavullnetshëm, pa u njoftuar gjykata kompetente si dhe vonesat në marrjen e vendimeve nga gjykata.
Kjo paraqet shkelje dhe cenim të të drejtave të njeriut, konstatim i cili është evidentuar edhe nga Mekanizmi për Parandalimin e Torturës i Këshillit të Evropës. Kjo gjendje kërkon ndryshime urgjente të dispozitave ligjore të Ligjit nr. 03/L-007 për Procedurën Jokontestimore (nenet 75 deri në 96) dhe dispozitave ligjore të Ligjit Nr. 05/L -025 për Shëndetin Mendor (nenet 20 deri 24), me qëllim të harmonizimit dhe përcaktimin e procedurave të qarta dhe në përputhje me standardet që garantojnë respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Është inkurajues fakti që nuk kemi konstatuar as një rast të ushtrimit të torturës, trajtimeve a dënimeve të tjera mizore, çnjerëzore ose poshtërues, si tregues të trajtimit me dinjitet dhe respektimit të drejtave dhe lirive të njeriut në këtë fushë.
Pavarësisht kësaj, Avokati i Popullit rikujton se çdo kush që është gjendur në rrethana të trajtimit të tillë mund të adresoj ankesë te Institucioni i Avokatit të Popullit, duke garantuar se secilin rast të raportimit do ta trajtoj me profesionalizëm, konfidencialitet, paanësi dhe duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe efikas.