Featured Image

Tryezë diskutimi për përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për mbrojtje të fëmijëve

23/09/2024

Prishtinë, 25 qershor 2024 – Institucioni i Avokatit të Popullit organizoi tryezë diskutimi lidhur me mbrojtjen e fëmijëve nga ngacmimi seksual, si viktima nga veprat penale kundër jetës dhe trupit, dhe veprat penale kundër integritetit seksual me fokus në dhunimin, sulmin seksual dhe keqpërdorimin e fëmijëve në pornografi.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte me qëllim të përmirësimit të veprimeve dhe reagimin institucional në parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve.

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj shprehu shqetësimin e tij për rastet e fundit të raportuara për shfrytëzim dhe abuzime seksuale të fëmijëve në Kosovë. Ai tha se këto vejnë në pah pasigurinë dhe rrezikun në të cilën jetojnë fëmijët dhe në veçanti vajzat në Kosovë. Kjo rezulton në dëmtime të rënda fizike, psikologjike dhe sociale për fëmijët si dhe përbën shkelje të të drejtave themelore të fëmijëve, të përcaktuara me Konventën për të Drejtat e Fëmijës, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës.

Ai shtoi se trajtimi i fëmijëve si viktima të ndjeshme kërkon përkushtim të plotë institucional për respektimin e të drejtave të tyre.

Në tryezë morën pjesë përfaqësuesit e institucioneve shtetërore dhe përfaqësues nga organizatat jo-qeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Pjesëmarrësit ndanë përvojat, sfidat dhe shprehen përkushtimin e tyre që të përmirësojmë bashkëpunimin ndërinstitucional në parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimet seksuale si vepra penale kundër integritetit seksual.