
Tryezë diskutimi me përfaqësuesit e komunës dhe organizatave jo-qeveritare në Mamushë
Prishtinë, 21 qershor 2024 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj takoi përfaqësuesit e komunës së Mamushës, përfshirë kryetarin Abdülhadi Krasniç, dhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile nga kjo komunë, për të diskutuar për të drejtat e njeriut në vend, me fokus të veçantë në të drejtat e komunitetit turk në Kosovë.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se takimet me komunitetet kanë një rëndësi të madhe me qëllim që të dëgjohen ata për së afërmi për sfidat dhe problemet që ata kanë. Po ashtu, ai i informoi të pranishmit për punën dhe aktivitetet e Forumit për Dialog mes Avokatit të Popullit dhe organizatave joqeveritare, duke ftuar edhe organizatat nga radhët e komunitetit turk për t’iu bashkëngjitur Forumit.
Kryetari i Komunës së Mamushës, z. Krasniç foli për problemet me menaxhimin e mbeturinave dhe mungesës së mbikëqyrjes për këtë çështje për shkak të mungesës së inspektorëve. Ai shtoi se qytetarët e këtij komuniteti hasin në vështirësi në procesin e nënshtrimit të testimeve për punësim për shkak të mungesës së gjuhës turke në teste.
Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile theksuan se familjet e dëshmorëve marrin ndihmë sociale në shuma shumë të ulëta dhe të pamjaftueshme për jetesë. Po ashtu u përmend edhe zvarritja e procedurave për nostrifikimin me kohë të diplomave për studentë që i kanë përfunduar studimet në Turqi, si dhe ka mungesë të mbështetjes financiare nga shteti për organizatat jo-qeveritare të komunitetit turk në vend.
Kjo tryezë është bërë në bashkëpunim me zyrën e OSBE-së në Kosovë.