Avokati i Popullit takoi studentët aktivistë
Prishtinë, 10 maj 2024 – Avokati i Popullit, Naim Qelaj takoi anëtarët e Komitetit të Kongresit të Aktivizmit Studentor, platformë e të gjithë studentëve të universiteteve publike në Kosovë.
Studentët e informuan Avokatin e Popullit për kongresin e katërt të Aktivizmit Studentor në Kosovë, ku ndër të tjera, aty u shqyrtuan problematikat me të cilat përballen studentët përgjatë studimeve.
Ata theksuan se nga kongresi i këtij viti është nxjerrë një rezolutë që përfshin sfidat si mungesën e qeverisjes demokratike në universitetet publike, diskriminimi gjinor ndërlidhur me ngacmimet seksuale si urgjencë e adresimit të duhur, rritja e fondeve për përmirësimin e kushteve, mbrojtja e autonomisë së universiteteve publike, procesi i digjitalizimit në UP e të tjera.
Avokati i Popullit theksoi se do t’i adresojë ankesat e tyre, që përkojnë me mandatin e Institucioni të Avokatit të Popullit, tek autoritetet përgjegjëse. Ai shtoi se Institucioni i Avokatit të Popullit ka trajtuar dhe po trajton ankesat që kanë të bëjnë me të drejtat për arsim dhe se do të mbështes gjithmonë iniciativat që u dalin në ndihmë studentëve.