Featured Image

Për nder të ditës së gruas Avokati i Popullit priti në takim grupin e prindërve me fëmijët me aftësi të kufizuar

08/03/2024

Prishtinë, 8 mars 2024 – Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Avokati i Popullit, Naim Qelaj priti sot në takim grupin e prindërve avokues për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuar nga organizata Handikos, duke prezantuar edhe ekspozitën e pikturave të tyre.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka vendosur ekspozitën “Buqetë Zemrash” në hapësirat e veta nëpërmjet së cilës 16 nëna të fëmijëve me aftësi të kufizuara kanë përçuar mesazhin e motivit, forcës dhe përkrahjes përball sfidave që ato kalojnë.

Avokati i Popullit tha se kjo ditë përveç simbolikës festive do të na ofrojë përvojat dhe sfidat e nënave të fëmijëve më aftësi të kufizuara, dhe vet grave që janë me aftësi të kufizuara, e që mund të jenë një burim i rëndësishëm për Avokatin e Popullit, që në kuadër të mandatit kushtetues dhe ligjor t’i adresoj ato çështje tek autoritetet përkatëse.

Gresa Stublla, menaxhere programi në Handikos, tha se gjatë ofrimit të shërbimeve sociale për fëmijët është parë me rëndësi edhe nevoja për t’u kujdesur dhe përkrahur edhe nënat, që edhe ato të jenë të sigurta pranë dikujt, duke nisur kështu projekte që përfshijnë edhe prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Mimoza Rrahmani, koordinatore e këtij grupi, tha se me rastin e ditës së gruas, shfaqim pikturat e 16 nënave që simbolizojnë mishërimin e forcës, guximit dhe mbi të gjitha dashurinë e madhe që buron nga zemrat e tyre.

Avokati i Popullit dëgjoi për përvojat dhe sfidat e nënave të fëmijëve më aftësi të kufizuara të cilat numëruan disa sosh, si qasja e kufizuar në hapësirat publike për personat me aftësi të kufizuara, pajisja e tyre me pajisje ndihmëse, e deri përfshirja e Konventës së të Drejtave të personave me Aftësi të Kufizuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës,  e që do të garantojë të drejta më të plotë për këta qytetarë.

Ai shtoi se me bashkëpunëtorët e tij do të vazhdojë të punojë për të ndryshuar e përmirësuar situatën e personave me aftësi të kufizuar, duke theksuar raportet e fundit të tij në lidhje me qasjen e lirë në hapësirat publike, mirëqenia e tyre dhe lehtësimi në përkujdesje për familjet nga ana e autoriteteve.