Featured Image

U mbajt takimi i dytë i rregullt i punës për vitin 2023 i Forumit për Dialog mes Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Organizatave të Shoqërisë Civile

14/11/2023
Prishtinë, 14 nëntor 2023 – U mbajt takimi i dytë i rregullt i punës për vitin 2023 i Forumit për Dialog mes Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Organizatave të Shoqërisë Civile.
Takimi filloi me diskutimin e aktiviteteve të përbashkëta të realizuara në tre mujorin e fundit, përkitazi me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në vend, në bashkëpunim dhe në koordinim të ngushtë me shoqërinë civile, sipas Planit të punës së Forumit për vitin 2023/2024.
Tanimë Forumi ka arritur të luajë një rol kyç në iniciativat dhe përpjekjet për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në vend, me ç ‘rast edhe nga shoqëria civile u vlerësua bashkëpunimi i ngushtë i Avokatit të Popullit me shoqërinë civile në trajtimin dhe adresimin e çështjeve me interes vital për të drejtat e njeriut, duke theksuar se një vlerësim i tillë gjithnjë e më shumë po shpërfaqet edhe në raportet më të rëndësishme ndërkombëtare për vendin dhe institucionin.
Nga takimi doli si qëndrim i përbashkët dhe të pranishmit u pajtuan për aktivitetet e përbashkëta të Avokatit të Popullit dhe shoqërisë civile në shënimin të 16 Ditëve të Aktivizimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar dhe shënimin e 10 dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të njeriut.
Nisja e hetimeve për çështje të ndryshme, si ajo për obligimin e shtetit për personat me probleme të shëndetit mendor, mbi moshën 65 vjeçare, trajtimi i gjuhës së përdorur në tekstet shkollore të ciklit të mesëm të lartë, mbrojtja e së drejtës për mjedis të sigurt, të qasshëm dhe të pastër jetësor për të gjithë, mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuara kanë qenë disa nga temat e trajtuara së fundmi nga Avokati i Popullit, e që ishin pjesë e diskutimeve në Forum.