Featured Image

Avokati i Popullit thekson se duhet kontroll gjyqësor për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosovës

20/06/2023

Prishtinë, 20 qershor 2023 – Duke marr shkas nga debati publik dhe shqetësimet e ngritura  nga gazetarët dhe qytetarët në media dhe rrjete sociale, lidhur me vendimin e  Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovës (ARBK) për pezullimin e certifikatës së biznesit të kompanisë Klan Kosova, Avokati i Popullit sjellë në vëmendje garancitë  kushtetuese e ligjore që garantojnë pacenueshmërinë e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave si vlera demokratike  në Republikën e Kosovës.

Avokati i Popullit rikujton po ashtu se Republika e Kosovës ka krijuar mekanizma kushtetuese e ligjore që garantojnë respektimin e plotë dhe pacenueshmërinë e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave. Ky standard nuk i lejon Qeverisë dhe as një autoriteti tjetër publik, administrativ apo gjyqësor, të pengoj apo kufizoj lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, përveç kufizimit me ligj “kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare.”

Liria shprehjes dhe liria e mediave janë të drejta të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës me nenin 40 [Liria e shprehjes përcakton shprehimisht se: “Liria e shprehjes është e garantuar. Liria e shprehjes përfshin të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush.”

Po ashtu, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Neni 42 [Liria e Medieve] “Garantohet liria dhe pluralizmi i medieve” duke përcaktuar shprehimisht se “ Censura është e ndaluar. Askush nuk mund të pengojë shpërndarjen e informacionit ose të ideve nëpërmjet medieve, me përjashtim të rasteve kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare.”

Avokati i Popullit gjithashtu rikujton se liria shprehjes dhe liria e mediave garantohen edhe me instrumentet ndërkombëtare të cilat janë të përcaktuara me Kushtetutë të zbatueshme drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës dhe kanë prioritet në rast konflikti ndaj ligjeve në vend:  Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut (DUDNJ) neni 19,  KEDNJ (Neni 10 parag.1 dhe 2), Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (PNDCP): (neni 19, parag.1 dhe 2).

Gjithashtu, në frymën e dispozitës kushtetuese Neni 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], Avokati i Popullit sjellë në vëmendje se liria për të dhënë informacion dhe ide është plotësuese e lirisë për të marrë informacion dhe ide, sidomos për sa i përket medias së shkruar si dhe mediave transmetuese dhe shtetet nuk duhet të ndërhyjnë midis transmetuesit dhe marrësit.( GJEDNJ rasti ”Groppera Radio kundër Zvicrës, 1990, dhe Casado Coca kundër Spanjës, 1994”.)

Avokati i Popullit rikujton se Komisioni i Pavarur i Medieve (KPM), sipas nenit 141 të Kushtetutës është “… organ i pavarur që rregullon spektrin e Frekuencave Transmetuese në Republikën e Kosovës, licencon transmetuesit publik e privat, përcakton dhe zbaton politikën e transmetimit si dhe ushtron kompetenca të tjera me ligj” ndërsa sipas Ligjit Nr.04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave, KPM rregullon të drejtat, detyrimet si dhe përgjegjësitë e personave fizik dhe juridik të cilët ofrojnë shërbimet mediatike audio dhe audio-vizuale, përfshirë kushtet e licencës.

Avokati i Popullit thekson se vendimi i nxjerrë më 14 qershor 2023, nga Agjencia  për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) për pezullimin e certifikatës së biznesit të kompanisë “KLAN KOSOVA SH.P.K” nuk mund të ketë efekt pezullimi mbi transmetuesin mediatik dhe duhet t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor. Prandaj, Avokati i Popullit nuk do të lëshohet në vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit si akt administrativ, sepse këtë do ta bëj gjykata.

Avokati i Popullit rithekson se në Republikën e Kosovës është e garantuar liria e shprehjes dhe liria e mediave si e drejtë fondamentale, andaj në asnjë rrethanë Qeveria apo çdo autoritet tjetër nuk mund të ndërhyjë në pengimin e kufizimin e kësaj të drejte përveç në rrethanat e përcaktuara me ligj.