Avokati i Popullit diskutoi për të drejtat e fëmijëve në një tryezë në Prishtinë
Prishtinë, 8 shkurt 2023 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj mori pjesë në një tryezë me temë diskutimi “Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve – progresi në zbatimin e tij”, e organizuar nga koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë, KOMF.
Z. Qelaj theksoi se ligji në fjalë obligon qeverinë, Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Këshillin Gjyqësor, që një vit nga hyrja në fuqi e ligjit, të nxjerrin 18 akte nënligjore sipas fushave të tyre përgjegjëse.
“Nga të dhënat që kemi siguruar, deri tani janë hartuar e miratuar vetëm gjashtë nga to, edhe përkundër faktit që shoqëria civile dhe unë si Avokati i popullit, kemi reaguar me kohë”, tha z. Qelaj.
Avokati i Popullit tha se gjatë vitit 2022 janë pranuar 86 ankesa që kanë të bëjnë me të drejtat e fëmijëve, si e drejta për arsim, të drejtat e fëmijëve në procedurat pranë gjykatave, dhuna dhe gjendja e sigurisë në shkolla, fëmijët me aftësi të kufizuara, mbrojtja sociale dhe shëndetësore e fëmijëve.
“Shqetësim për ne vazhdon të jetë dhuna e cila vazhdon të jetë e pranishme në jetën e fëmijëve siç është pohuar në vazhdimësi gjatë diskutimeve me nxënës, ku si shqetësime janë ngritur përdorimi i ndëshkimit trupor fizik, si mjete disiplinimi nga mësimdhënësit, dhe ngacmimi në mes të bashkëmoshatarëve, bullizmi”, tha Avokati i Popullit.
Po ashtu, ai theksoi se fëmijët me aftësi të kufizuara janë ende duke përjetuar vështirësi serioze dhe përballen me pengesa për gëzimin e plotë të të drejtave të përcaktuara me ligj.
Z. Qelaj nënvizoi se lidhur me mbrojtjen sociale dhe shëndetësore të fëmijëve, Kuvendi ende nuk e ka miratuar Ligjin për Shërbime Sociale dhe Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal, përkundër rekomandimeve të Avokatit të Popullit në raportet vjetore të tre viteve të fundit.
“Miratimi i këtyre ligjeve është shumë me rëndësi për mirëqenien e fëmijëve, veçanërisht Ligji për Shërbime Sociale dhe Familjare, përmes të cilit do të rregullohej në tërësi mandati, roli, kompetencat, përgjegjësitë dhe struktura e qendrave për punë sociale,” tha z. Qelaj.
Në anën tjetër, KOMF theksoi se gjatë katër muajve të fundit të vitit 2022, ka mbajtur punëtori me mbi 400 profesionistë të nivelit qendror dhe komunal, në lidhje me zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, me qëllim mobilizimin dhe fuqizimin e tyre për ofrim të shërbimeve sa më cilësore për fëmijët.