Avokati i Popullit prezantoi statistikat preliminare dhe punën e Institucionit për vitin 2022
Prishtinë, 22 dhjetor 2022 – Si për çdo vit, edhe këtë vit, Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj prezantoi statistikat preliminare para mediave dhe foli për punët dhe aktivitetet e Institucionit të bëra gjatë vitit 2022.
Gjatë këtij viti, Institucioni i Avokatit të Popullit ka pranuar gjithsej 1,514 ankesa nga qytetarët, e prej të cilave 645 ankesa janë hapur për hetim. Nga ky numër, 39 raste janë hapur sipas detyrës zyrtare, ndërsa 16 prej tyre janë nisur hetimet nga raportimet e mediave.
“Mbi bazën e rasteve të paraqitura, del se të drejtat që më së shumti cenohen janë edhe këtë vit të ngjashme me vitet paraprake, ashtu që ankesat më të shumta janë për shkak të zvarritjeve të procedurave gjyqësore, cenimi i të drejtës për mjet juridik, e drejta e punës dhe ushtrimit të profesionit, të drejtat shëndetësore, e me radhë,” tha z. Qelaj.
Sipas përkatësisë etnike, ankesat më të mëdha vijnë nga komuniteti shumicë me 1,365 ankesa, e pasuar nga komuniteti serb me 77 ankesa, 27 ankesa nga komuniteti boshnjak, 13 ankesa nga komuniteti ashkali, 10 turq, 10 romë, 2 ankesa nga komuniteti goran dhe 2 ankesa nga komuniteti egjiptian.
Gjatë këtij viti, nga hetimet janë adresuar për autoritetet 109 rekomandime, respektimi i të cilave do të monitorohet nga Institucioni i Avokatit të Popullit. “Është me interes të veçantë zbatimi i këtyre rekomandimeve, sepse do të ishte një tregues i mjaftueshëm që shteti po reagon në përmirësim të respektimit të DNJ, zbatimit të ligjit, e krejt kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve,” tha Avokati i Popullit.
Ai më pas foli për nivelin e zbatimit të rekomandimeve e për të cilat tha se janë zbatuar plotësisht vetëm 22.9 për qind, pjesërisht janë zbatuar 4.6 për qind, në pritje për zbatim janë 69.7 për qind, ndërsa rekomandimet që nuk janë zbatuar janë 2.8 për qind.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj dha po ashtu një përshkrim të punëve dhe aktiviteteve që i ka bërë Institucioni gjatë këtij viti, duke theksuar se në fokus për këtë vit ka qenë mbledhja e të dhënave për gjendjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, dhe çështja tjetër ka qenë tema në lidhje me mbrojtjen nga diskriminimi.
Institucioni i Avokatit të Popullit, i është bashkuar fushatës e cila këtë vit i është kushtuar personave me aftësi të kufizuar, dhe ka organizuar 11 takime nëpër qytete të ndryshme të vendit.
Sa i përket mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, nga të dhënat e mbledhura në terren, vërehet se akoma si çështje sfiduese mbeten:
- Moszbatimi i Ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara
- Rastet e dhunës ndaj fëmijëve dhe të rriturve me aftësi të kufizuara – mungesa e strehimoreve
- Mos punësimi i personave me aftësi të kufizuara
- Mungesa e qasjes në inftrastrukturë, veçanërisht theksohen objektet e gjykatave dhe prokurorive si dhe QPS-ve nëpër komuna të ndryshme.
Avokati i Popullit po ashtu foli edhe për dhunën në familje, dhunën kundër grave dhe rastet e dhunimeve të vajzave, duke theksuar rekomandimet për autoritetet përgjegjëse për të ndërmarrë masat e nevojshme për të ndryshuar situatën.
Z. Qelaj nënvizoi edhe disa punë që janë bërë si të drejtat në arsim, të drejtat e komuniteteve, krijimi i forumit për dialog me shoqërinë civile dhe Avokatin e Popullit, dhe planifikimet për vitin 2023.