Featured Image

Përfaqësuesit e fshatrave të Klinës u ankuan te Avokati i Popullit për shkak të ndërtimit të fabrikës së çimentos në atë zonë

14/11/2022

Prishtinë, 14 nëntor 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj priti në takim përfaqësuesit e fshatrave të komunës së Klinës të cilët u ankuan për cenimin e të drejtës për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm, për shkak të një plani të ndërtimit të një fabrike të çimentos në atë zonë.

Njëri ndër përfaqësuesit, z. Veton Raci tha se afër katër mijë banorë të zonës kanë nënshkruar një peticion me të cilin kundërshtojnë veprimet lidhur me ndërtimin e fabrikës së çimentos në komunën e Klinës. Ky peticion i është dërguar komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut, e ku kryesuesja e këtij komisioni, znj. Duda Balje ishte po ashtu prezente në këtë takim.

Përfaqësuesit po ashtu theksuan se autoritetet shtetërore nuk i kanë marrë parasysh mendimet e qytetarëve, duke shkelur vullnetin e tyre, e që kundërshtimet e tyre janë bazuar në dëmtim të mjedisit ku ata jetojnë. Ata thanë se ndërtimi i fabrikës do të dëmtonte rëndë florën dhe faunën, ku ndër të tjera ajo zonë është e pasur me burime të ujit.

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj theksoi se të gjitha këto pretendime do të hetohen nga ana e tij, duke mbledhur të gjitha informatat e nevojshme, dhe do të del me një qëndrim.